75 Mall Live Search
23:12 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / H F

Në Rinas mbërrin vëllai i Suel Çelës, i shpallur në kërkim për krime të rënda

Sonte në mbrëmje në aeroportin e Rinasit pritet mbërritja e Mario Çelës, vëllait të Suel Çelës, i cili u arrestua në nëntor të vitit 2024 nga autoritetet belge.

Suel Çela vijon të jetë person i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Sipas SPAK, ai dyshohet si drejtues i një organizate kriminale të strukturuar, e përfshirë në veprimtari të rënda penale, përfshirë vrasje, trafik ndërkombëtar droge, korrupsion dhe pastrim parash.

Hetimet tregojnë se anëtarë të tjerë të grupit kishin role operative në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave kriminale, përfshirë atentate dhe trafikun e lëndëve narkotike.

SPAK ka dokumentuar përpjekje për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në dhjetor të vitit 2020 është tentuar trafikimi i rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Europës, ndërsa në janar 2021 është tentuar dërgimi i 466 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Holandës.

Hetimet për këtë rrjet kriminal vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare po bashkëpunojnë për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.