S’e votoi rezolutën, reagon LDK: Nuk legjitimojmë qasje të njëanshme të drejtësisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi refuzoi të votojë në Kuvend rezolutën në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Hagë.
Refuzimi erdhi pasi Kuvendi nuk miratoi kërkesën për futjen në rezolutë edhe zbulimin e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.
LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.
Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë” thuhet në reagimin e LDK-së./Indeksonline/

