Zgjerimi i “Bukur World”: Blerina Kllokoqi-Rugova sjell linjën ekskluzive të këpucëve elegante për femra
Blerina Kllokoqi-Rugova, një nga emrat më të njohur të modës në Kosovë, po shënon një tjetër sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e saj kreativ. Pas arritjeve të mëdha me linjën e veshjeve, brendi i saj tashmë i konsoliduar, “Bukur World”, ka zgjeruar ofertën duke prezantuar në treg linjën e re të këpucëve elegante për femra, shkruan IndeksOnline.
Ky zgjerim vjen si rezultat i një pune intensive mbi njëvjeçare, e zhvilluar me përkushtim maksimal në çdo detaj. Linja e re është e mbrojtur dhe e konceptuar me kujdes të veçantë, duke reflektuar identitetin unik estetik të “Bukur World”. Çdo model bart në vete elegancën, finesën dhe vulën karakteristike të brendit.
E veçanta e kësaj linjeje qëndron në faktin se disenjet janë plotësisht origjinale dhe të krijuara në Kosovë. Katër disenjatorë nga Kosova kanë bashkëpunuar ngushtë me disenjatorët e fabrikave prodhuese për të sjellë një produkt që ndërthur kreativitetin vendor me standarde të larta prodhimi.
E gjithë faza kreative nga ideimi deri te disenjimi final është realizuar në Kosovë, ndërsa prodhimi është bërë jashtë vendit, duke garantuar cilësi dhe përpunim profesional sipas kërkesave të tregut ndërkombëtar.
Me këtë hap të ri, “Bukur World” jo vetëm që forcon pozicionin e tij në industrinë e modës, por dëshmon edhe një herë se puna unike, vizioni i qartë dhe përkushtimi i vazhdueshëm janë çelësi i suksesit. /IndeksOnline/

