Avokati: Nxënësi e kishte kanosur me vrasje drejtorin e shkollës “Pavarësia”
Avokati i drejtorit të shkollës “Pavarësia”, Rinor Bajrami, ka thënë se klienti i tij ditë më parë ka paraqitur kallëzim penal ndaj nxënësit, i cili ishte përfshirë në një konflikt fizik me një mësimdhënës. Sipas avokatit, nxënësi ka kanosur me vrasje dhe ka fyer rëndë drejtorin dhe familjen e tij.
Prokuroria Themelore në Prishtinë të enjten njoftoi se ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës, pasi ky u pa në një video duke e goditur nxënësin e njëjtë të përfshirë në rastin me mësimdhënësin.
Avokati Bajrami ka thënë se përveç se me 5 shkurt, nxënësi e ka kanosur drejtorin edhe më 9 shkurt, kur ka dalë videoja që drejtori e godet nxënësin, dhe se ky veprim i drejtorit ka ardhur pikërisht për shkak të këtyre rrethanave.
“Klienti im më 5 shkurt 2026 ka paraqitur kallëzim penal ndaj nxënësit A.O. për kanosje me vrasje, sharje dhe fyerje të rënda ndaj tij dhe familjes së tij. Pra, organet e rendit kanë qenë të njoftuara për situatën disa ditë para incidentit të publikuar. Më 9 shkurt 2026, ai është përballur sërish me sharje ndaj familjes së tij, me fyerje të rëndë të vajzës së tij 2 vjet e gjysmë dhe me kanosje të drejtpërdrejtë për jetën nga i njëjti person. Reagimi i tij ka ndodhur në ato rrethana konkrete, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kanosjes. Menjëherë pas momentit kritik, ai vetë ka ftuar policinë dhe ka raportuar ngjarjen”, thuhet në sqarimin e avokatit.
Bajrami ka shtuar se përgjegjësia penale e drejtorit të shkollës duhet të analizohet në kontekstin e plotë faktik dhe juridik, “e jo në mënyrë të shkëputur nga rrethanat që i kanë paraprirë dhe e kanë shoqëruar ngjarjen”.

