75 Mall Live Search
21:13 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / F.R

Komandanti i KFOR takon Muhaxherin, rikonfirmohet angazhimi për siguri dhe stabilitet në Kosovë

Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në ambientet e komunës.

Takimi u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të KFOR-it për forcimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon. Gjatë bisedës, palët u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Sipas njoftimit, angazhime të tilla të rregullta janë thelbësore për të siguruar informacione të drejtpërdrejta mbi realitetin në terren, për të ndërtuar besim të ndërsjellë dhe për të rritur aftësinë e KFOR-it në përmbushjen efektive të mandatit të tij.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Në përmbushje të rolit të tij, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, European Union Rule of Law Mission in Kosovo, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./IndeksOnline/