75 Mall Live Search
17:03 / E Diele, 15 Shkurt 2026 / G T

Thirrjet raciste, reagon Prishtina e Re: Ofendimet erdhën nga kapiteni Betim Haxhimusa!

KF Prishtina e Re ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e sotme kampionale ndaj FC Ferizaj, ku sipas klubit, futbollistët Cheick Doukoure dhe Toni Gomes janë përballur me ofendime me përmbajtje racore.

Sipas reagimit të klubit, ofendimet dyshohet se janë drejtuar nga kapiteni i skuadrës kundërshtare, Betim Haxhimusa. KF Prishtina e Re e ka cilësuar rastin si të papranueshëm dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe shoqërisë, shkruan Indeksonline

“Në emër të klubit, dënojmë pa asnjë rezervë çdo formë të racizmit dhe diskriminimit. Futbolli është lojë e respektit, barazisë dhe bashkimit, dhe çdo veprim që cenon këto vlera është i papranueshëm,” thuhet në deklaratën e klubit.

Tutje, klubi ka bërë të ditur se rasti do të procedohet zyrtarisht pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke kërkuar që organet kompetente të trajtojnë çështjen me seriozitet dhe të ndërmarrin masa disiplinore sipas rregulloreve në fuqi.

KF Prishtina e Re ka shprehur mbështetje të plotë për lojtarët e saj dhe ka theksuar se racizmi nuk duhet të ketë vend në futboll apo në shoqëri./Indeksonline/