75 Mall Live Search
18:08 / E Diele, 15 Shkurt 2026 / F.R

Rubio: SHBA-ja, e përkushtuar për forcimin e lidhjeve të forta me Serbinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, i ka uruar qytetarët e Serbisë me rastin e ditës së shtetësisë dhe ka shprehur pritjet që dy shtetet të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit më 15 shkurt, Rubio theksoi se dy shtetet ndajnë “një histori të gjatë dhe të rëndësishme, të përshkruar nga miqësia dhe respekti reciprok”.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të ndërtojnë mbi këto lidhje të forta, teksa ne punojmë së bashku për të zgjeruar tregtinë dhe investimet dhe për të forcuar prosperitetin ekonomik për dy vendet tona. Ne vlerësojmë partneritetin me Serbinë në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në mbarë Ballkanin Perëndimor dhe mezi presim të thellojmë bashkëpunimin tonë në vitin e ardshëm”, u tha në deklaratën e sekretarit Rubio.

Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në janar zhvilluan një bisedë në margjinat e Forumit Ekonomik në Davos. Pas atij takimi, Vuçiq deklaroi se përpara Serbisë janë vendosur “dy kushte formale” për nisjen e Dialogut Strategjik me SHBA-në.

Një nga këto kushte, sipas tij, lidhet me energjetikën, dhe tjera ka natyrë politike.

Që nga atëherë, as Beogradi e as Uashingtoni nuk janë prononcuar mbi këto kushte.

Dialogu Strategjik, që SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra vende të botës me qëllim që të thellojë bashkëpunimin, përfshin një gamë të gjerë fushash, duke nisur nga ekonomia, siguria dhe politika e jashtme.

Reduktimi i varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia është përfshirë në mesin e objektivave të Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, i miratuar në mes të dhjetorit të vitit të kaluar.

Në të njëjtin akt, si qëllim përmendet edhe reduktimi i ndikimit kinez në rajon.

Përparimi i menjëhershëm në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës është përcaktuar gjithashtu si një nga synimet e Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të cilin presidenti amerikan, Donald Trump, e nënshkroi më 19 dhjetor.

Sipas këtij akti, SHBA-ja mbështet arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që bazohet në njohje të ndërsjellë.

Në gusht të vitit 2025 ishte njoftuar se do të niste Dialogu Strategjik mes Serbisë dhe SHBA-së, por deri më tani ky proces nuk ka filluar. /REL