75 Mall Live Search
19:07 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / F.R

Hollywood-i në zi, vdes legjenda e kinemasë, Robert Duvall

Aktori i njohur amerikan Robert Duvall, një nga ikonat më të mëdha të kinemasë amerikane, ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare, konfirmoi familja e tij të hënën.

Lajmin e dha bashkëshortja e tij, Luciana Duvall, përmes një postimi emocional në Facebook, ku shkroi se Duvall “u nda paqësisht nga jeta, në shtëpi, i rrethuar nga dashuria dhe ngrohtësia e familjes”, shkruan TZM, transmeton IndeksOnline.

Në mesazhin e saj ajo e përshkroi bashkëshortin si “shokun e saj të çmuar, mikun e dashur dhe një prej aktorëve më të mëdhenj të kohës sonë”. Ajo shtoi se për botën ai ishte një artist fitues i Oscar-it, regjisor dhe rrëfimtar i jashtëzakonshëm, ndërsa për të personalisht ai ishte “gjithçka”.

Duvall la pas një trashëgimi të pasur artistike, me role të paharrueshme në filma klasikë si The Godfather, Apocalypse Now, Tender Mercies (ku fitoi një Oscar) dhe shumë të tjerë, duke u bërë një nga figurat më të respektuara të industrisë filmike.

Fansat dhe kolegët në mbarë botën kanë nisur të ndajnë homazhe për jetën dhe karrierën e tij, duke kujtuar ndikimin e tij të pashlyeshëm në artin e filmit./IndeksOnline/