Sveçla: Pavarësia e Kosovës, dëshmi e vullnetit të pathyeshëm të popullit për të jetuar i lirë dhe sovran
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka uruar 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Sveçla ka thënë se kjo datë e shënuar historike për Kosovën, është kurorëzim i sakrificës shekullore për liri dhe i qëndresës së palëkundur.
Ai ka shtuar se pavarësia e Kosovës është dëshmi e vullnetit të pathyeshëm të popullit për të jetuar i lirë dhe sovran.
Postimi i plotë:
Gëzuar 18-vjetorin e pavarësisë të gjithë qytetarëve tanë kudo që ndodhen!
Kjo datë e shënuar dhe historike për vendin tonë është kurorëzim i sakrificës shekullore për liri, i qëndresës së palëkundur dhe i përpjekjeve të brezave të tërë që përballë okupimit agresor e gjenocidal, nuk u dorëzuan kurrë.
Nderim i përjetshëm për dëshmorët dhe martirët tanë, të cilët me sakrificën e tyre e jetësuan idealin e lirisë. Me respekt të veçantë përulemi para gjithë veprimtarëve e luftarëve në ndër dekada u angazhuan e luftuan per liri, e që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizimit më të lartë politiko ushtarak që nga Lidhja e Prizrenit.
Pavarësia e Kosovës është dëshmi e vullnetit të pathyeshëm të popullit tonë për të jetuar i lirë dhe sovran. Ajo na obligon që me përgjegjësi dhe përkushtim, ta ndërtojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë demokratik, të drejtë dhe të zhvilluar, duke mos harruar asnjëherë ata që na e mundësuan këtë liri.
Urime 18-vjetori i pavarësisë!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

