75 Mall Live Search
14:52 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / P M

Pse Pavarësia e Kosovës u vendos në 17 shkurt? Enver Hoxhaj zbulon arsyen

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se zgjedhja e datës 17 shkurt si dita e shpalljes së Pavarësisë ishte rezultat i negociatave me partnerët e huaj, kryesisht partnerët amerikanë.

Ish-ministri tregoi se ka pasur përpjekje që data e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës të ishte në një datë me atë të Shqipërisë. Ai theksoi se ka pasur edhe vende të cilat nuk kanë dashur dhe nuk e njohin edhe sot pavarësinë e Kosovës.

“Ka pasur negociata me partnerët tanë, kryesisht amerikanë, se kur duhet të ishte dita e duhur për marrjen e këtij vendimi historik. Meqë Rusia nuk ishte e përjashtuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ajo mund të ndërmerrte veprime që do të krijonin një situatë komplekse ndërkombëtare për Kosovën”, u shpreh Enver Hoxhaj, deputet i PDK-se.

“Nga ajo që dimë, duhej që dita të binte në një të diel. Mund të ishte ndonjë e diel tjetër, por në fund u vendos 17 shkurti. Në atë ditë u thirr në një kohë të jashtëzakonshme seanca e Kuvendit, dhe Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit Thaçi, ndërmorrën të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe ndodhi shpallja e Pavarësisë së Kosovës.”, tha Hoxhaj.

“Momentet e shpalljes së Pavarësisë mund të jenë pjesë e një procesi të gjatë historik, që mund të zgjasë shekuj apo dekada, por javët e fundit para shpalljes ishin dramatike. Kosova nuk bënë përjashtim as nga Shqipëria dhe as nga vendet e tjera, të cilat në një moment historik shpallën pavarësinë në orët e fundit, duke marrë parasysh rrethanat dhe arsye të ndryshme.”, ka thënë Enver Hoxhaj një lidhje live për Euronews Albania, në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Ka pasur shtete që sugjeruan shtyrjen e shpalljes, si Spanja, e cila edhe sot nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se duhet të shtyhej pas marsit për shkak të zgjedhjeve në atë vend. Të gjitha këto ishin kërkesa dhe kundërshtime ndaj Kosovës, dhe ne u koordinuam me amerikanët për 17 shkurtin. Ekipi i unitetit në atë kohë pati një debat të gjerë gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2007. Ka pasur përpjekje që data të përkojë me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të mos përfundimit të procesit historik. Një pjesë e këtij procesi ishte e njohur në mesin e dhjetorit, kur ambasadorët e asaj kohe vizituan zyrat e presidentit dhe të kryetarit të Partisë Demokratike, Thaçi, i cili kishte marrë pjesë në zgjedhje dhe dihej se do të ishte kryeministër”, u shpreh Hoxhaj.