Policia e “pastron” veriun nga granatat, municioni e mjetet ilegale
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, në vazhdën e pranimit të informatave nga ana e qytetarëve, sot ka pranuar informacione se në tri lokacione mund të ketë armë, municion si dhe mjete të tjera ilegale.
Si rezultat, janë ndërmarrë veprime policore duke kryer kontroll në tri lokacione, transmeton IndeksOnline.
Rasti i parë është evidentuar rreth orës 01:20. Njësitet policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin-Potokut, ku kanë gjetur dhe sekuestruar: 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 1 emblemë si dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.

Rasti i dytë u raportua rreth orës 09:20. Njësitët policore gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur (të pabanuar) në fshatin Zhitkovc të Zveçanit, kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë AK-47, 1 granatë dore M-57, prodhim jugosllav, 3 karikatorë të zbrazët të AK-47, 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë, 60 fishekë të armës AK-47.

Rasti i tretë u raportua rreth orës 12:20, me njësitët policore që kryen kontroll në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, ku si rezultat kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 granatë dore, 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

“Në vendin e ngjarjes, në rastin II dhe III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”” thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës bën të ditur se lidhur me këto raste, nuk ka persona të arrestuar.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192” thuhet në njoftim.

