Mbrojtja: ZPS-ja s’ka prova që LDK-ja bojkotoi qeverinë e përkohshme për shkak të keqtrajtimeve të Thaçit
Luka Mishetiq, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dështuar të mblidhte prova reale se LDK-ja kishte bojkotuar qeverinë e përkohshme, siç pretendohet, si pasojë e keqtrajtimeve nga ish-presidenti.
Ai tha se ZPS-ja nuk i referohet asnjë prove të asaj kohe.
“ZPS-ja nuk citon asnjë provë që LDK-ja bojkoti qeverinë e përkohshme për shkak të keqtrajtimit të pretenduar prej zotëri Thaçit apo dikujt tjetër. ZPS-ja nuk i referohet asnjë prove të asaj kohe dhe asnjë qëndrimi të LDK-së, dhe as nuk dha informacion shtesë për këtë”, tha Mishetiq.
Por, sipas Mishetiqit, Prokuroria e Specializuar ka prova që LDK-ja ka bojkotuar qeverinë e përkohshme, siç tha ai, për shkak të mosdëshirës për t’i ndarë në mënyrë të njëjtë vendet në organin qeverisës.
“Përkundrazi, ju keni prova të asaj kohe që LDK-ja ka bojkotuar qeverinë e përkohshme të asaj kohe sepse nuk dëshironte t’i ndante njësoj vendet në qeverinë e përkohshme. Zotëri Thaçi në të vërtetë ka qenë gjithëpërfshirës”, shtoi avokati.

