75 Mall Live Search
11:36 / E Mërkurë, 18 Shkurt 2026 / OSH

Mesazhi i Tërnavës për muajin e Ramazanit: Dashuria ndaj fesë dhe ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka mbajtur një konferencë ku ka dhënë mesazhin e tij me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Myftiu Tërnava ka thënë se ky muaj na fton në rrugën e drejtë, na edukon me drejtësi, dhimbshuri e moral të lartë.

“Sot, në këtë natë të bekuar të Ramazanit dhe në atmosferën festive të datës sonë më të rëndësishme kombëtare, 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit tonë, zemrat tona rrahin njësoj për besimin dhe atdheun.
Ramazani është muaji kur Fjala Hyjnore zbriti si dritë për njerëzimin, udhëzim për zemrat, shërim për shpirtrat dhe mëshirë për botët. Është koha kur zemrat hapen për Librin e Zotit dhe shpirtrat përulen para Madhërisë së Tij. Ai na mëson durimin, faljen dhe solidaritetin, duke na kujtuar se forca më e madhe e njeriut është zemra e pastër dhe dora që ndihmon.
Zoti i Madhërishëm thotë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani”. (El Bekare, 185).
Ky muaj i bekuar na fton në rrugën e drejtë, na edukon me drejtësi, dhembshuri e moral të lartë dhe na udhëzon drejt paqes së brendshme. Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet, forcohet në besim dhe rritet në devotshmëri. Është koha kur leximi i Kuranit bëhet frymëmarrje e zemrës, lutja gjuhë e shpirtit dhe sadakaja dritë në rrugën tonë. I dërguari ynë, Muhamedi a.s., ishte njeriu më bujar, ndërsa bujaria e tij arrinte kulmin pikërisht në këtë muaj.
Në këtë natë të bekuar, kur hëna e Ramazanit ngrihet mbi horizontin shpirtëror të vendit tonë, le të reflektojmë për dy dashuri që na formësojnë: dashurinë ndaj fesë dhe dashurinë ndaj atdheut. Ramazani është më shumë se agjërim; është një shkollë hyjnore vetëpërmbajtjeje, pastrim ndërgjegjeje dhe lartësim moral. Ai e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët.
Historia jonë dëshmon se besimi ka qenë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar, veçanërisht në momentet kyç si shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur u kurorëzua një sakrificë e gjatë për liri, drejtësi dhe dinjitet.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Dashuria ndaj fesë dhe ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim, por plotësojnë njëra-tjetrën. Besimi e formon karakterin, ndërsa atdheu i jep atij hapësirë veprimi. Ramazani na thërret ta forcojmë lidhjen me Zotin dhe përgjegjësinë ndaj vendit tonë, institucioneve dhe së ardhmes së përbashkët.
Agjërimi i muajit Ramazan është një nga adhurimet më të veçanta, sepse është ibadet që besimtari e kryen vetëm për hir të Krijuesit, me bindje të plotë, vullnet të lirë dhe sinqeritet të thellë shpirtëror. Ai nuk është thjesht përmbajtje nga ushqimi dhe pija, por një akt i pastër devotshmërie që buron nga zemra dhe dëshmon besimin e vërtetë. Për këtë sakrificë të heshtur e të sinqertë, agjëruesi ka shpërblim të veçantë te Zoti, sepse agjërimi është adhurim intim ndërmjet robit dhe Krijuesit të tij, i njohur plotësisht vetëm prej Tij. Në këtë qëndron madhështia e tij: një përkushtim i brendshëm që e pastron shpirtin, e forcon karakterin dhe e afron njeriun me mëshirën hyjnore.
Të dashur qytetarë,
Vëllezër dhe motra,
Mesazhi i Ramazanit është paqja. Ai pastron zemrën nga urrejtja, ndalon fyerjen dhe e ngre respektin në themel të bashkëjetesës. Është thirrje për vetëpërmbajtje, vëllazëri dhe dashuri aktive, që sjell harmoni shoqërore. Nxitja e urrejtjes është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji. Ta ruajmë vëllazërinë dhe kombin tonë me zemër të pastër dhe vendosmëri që dashuria të triumfojë mbi çdo përçarje.
Le të lutemi që ky Ramazan të na gjejë më të bashkuar në vlera, më të fortë në besim dhe më të vendosur në mbrojtje të lirisë sonë. Le të jetë kohë reflektimi për thellimin e dashurisë ndaj fesë si burim drite dhe ndaj Kosovës si amanet i të parëve e përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të saj, si Myfti i Republikës së Kosovës, ju përcjell urimet më të sinqerta për ardhjen e muajit të bekuar Ramazan. Le të jetë kjo kohë pastrimi shpirtëror, afrimi me Zotin dhe forcimi i unitetit, dashurisë e solidaritetit ndërmjet nesh.
Gëzuar dhe me fat muajin e bekuar Ramazan!
Zoti e bekoftë popullin tonë dhe Republikën e Kosovës”, ka thënë Tërnava në mesazhin e tij./Indeksonline/