Vazhdon deklarimi i Thaçit: Millosheviqi nisi luftën, aleanca ndërkombëtare solli fitoren
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vijuar deklaratën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, duke theksuar se kthimi i tij në Kosovë nga Vicrra ku po studionte, nuk kishte lidhje me pushtetin, por me synimin për liri dhe paqe.
“Unë nuk u ktheva për pushtet në Kosovë, por u ktheva për liri dhe paqe. Pushteti dhe kontrolli ishin në duart e Millosheviqit dhe shqiptarët nuk ushtronin pushtet”, deklaroi Thaçi.
Ai theksoi se mbijetesa, liria dhe paqja ishin qëllimet e tij kryesore, ndërsa shpresa e shqiptarëve, sipas tij, ishte bota demokratike dhe NATO-ja. Thaçi tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me aleancën dhe se fokusi i tij ishte ndërtimi i kësaj lidhjeje ndërkombëtare.
Sipas tij, lufta në Kosovë u nis nga regjimi i Millosheviqit dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, vendi nuk do të kishte arritur lirinë. Ai kujtoi edhe një bisedë me ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, e cila, sipas Thaçit kishte thënë se sjellja e Millosheviqit ndaj Kosovës ishte “rekrutuesi më i madh i UÇK-së”.
Thaçi deklaroi se fitorja e Kosovës ishte diplomatike dhe erdhi falë mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, e dinin qëllimin dhe aspiratat e popullit të Kosovës.
Ai shtoi se pas luftës u kishte bërë thirrje serbëve të Kosovës të qëndronin në vend, duke theksuar se edhe ata kishin qenë viktima të regjimit të Millosheviqit.
Duke kujtuar periudhën pas hyrjes së NATO-s, Thaçi tha se qytetarët festonin, ndërsa pavarësia e Kosovës ishte fryt i aleancës me ndërkombëtarët. Ai tregoi gjithashtu se gjatë një vizite në Kosovë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton i kishte thënë: “Ne e fituam luftën, tani ju ndërtoni paqen”.

