Buxheti, konstituimi, fushëveprimi/ Ky është rendi i ditës për 11 komisionet parlamentare
11 komisione të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot, për të diskutuar çështje të ndryshme.
Takimet do t’i paraprijnë seancës plenare që pritet të mbahet nesër, raporton IndeksOnline.
Së pari, mbledhje do të mbajë Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, që do të shqyrtojë buxhetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, i ndarë në Projektligjin Nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Mbledhja është njoftuar të fillojë në orën nëntë.
Në po të njëjtin orar do të mbajë mbledhje edhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Në orën 10, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do të bëjë shqyrtimin e konstituimit të Kuvendit.
Nga ana tjetër, në të njëjtën orë, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji do të shqyrtojë Projektligjin nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit.
Në orën 10 gjithashtu mblidhet edhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku do të diskutohet konstituimi i Kuvendit.
Në orën 11 mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport. Ky i fundit do të bëjë shqyrtimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të diskutojë për konstituimin e Kuvendit në orën 11:30. Në të njëjtin orar, edhe Komisioni për Shëndetësi do të shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjen buxhetore.
Konstituimi i Kuvendit do të diskutohet po ashtu në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Ky komision mblidhet me fillim nga ora 11:30.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore, me fillim nga ora 13:00./IndeksOnline/

