E dashura e tij vdiq nga i ftohti në mal, alpinisti austriak shpallet fajtor për vrasje nga pakujdesia
Një alpinist austriak është shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia, pasi e dashura e tij vdiq nga hipotermia gjatë një ngjitjeje në malin më të lartë të Austrisë vitin e kaluar.
I identifikuar vetëm si Thomas P. për arsye privatësie, ai mori një dënim prej pesë muajsh dhe një gjobë prej 9,600 eurosh.
E dashura e tij, Kerstin G. vdiq në janar 2025 gjatë ngjitjes në malin Grossglockner. Gjyqtari Norbert Hofer, vetë një alpinist me përvojë dhe pjesë e ekipeve të shpëtimit malor në Tirol, tha se Thomas ishte një alpinist i shkëlqyer, por e dashura e tij nuk kishte përvojë të mjaftueshme për kushtet dimërore. Ai shtoi se çifti duhej të kthehej mbrapsht.
Gjykata dëgjoi edhe dëshminë e Andrea B. ish-e dashura e Thomas P., e cila tregoi sesi ai e kishte lënë vetëm gjatë një ngjitjeje më 2023, duke e bërë atë të ndjehej e pafuqishme dhe e frikësuar.
Sipas mediave austriake, trupi i Kerstin u gjet nga ekipi i shpëtimit në një shkëmb, pa doreza, ndërsa temperaturat ishin -8°C, me erë deri në 74 km/h, duke krijuar një temperaturë përjetimi rreth -20°C. Prokuroria argumentoi se Thomas P, si alpinist më me përvojë, ishte “udhëheqësi përgjegjës” dhe dështoi të kërkonte ndihmë në kohë.
Thomas P mohoi fajësinë dhe tha se ndihej shumë keq, duke theksuar se e dashura e tij ishte sportive dhe ata kishin planifikuar udhëtimin bashkë. Avokati i tij tha se çifti kishte hasur në një situatë të vështirë dhe stresuese, dhe Kerstin nuk ishte e papërvojë.
Sipas prokurorisë, ata ngelën të bllokuar në malin Grossglockner dhe Thomas nuk telefonoi policinë dhe nuk dha sinjale emergjence kur një helikopter kaloi mbi ta rreth orës 22:30. Më vonë, ai telefonoi policinë malore rreth orës 00:35 të 19 janarit dhe më pas ngjiti majën duke e lënë Kerstin pas, e cila u gjet e vetme nga ekipi i shpëtimit rreth orës 02:00 të mëngjesit.

