75 Mall Live Search
13:43 / E Premte, 20 Shkurt 2026 / S Z

U refuzuan 21 amandemente të LDK-së, reagon Abdixhiku

Me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar buxhetin për vitin 2026

E pas kësaj ka reaguar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku,  pasi që janë refuzuar 21 amendamentet të cilat partia që ai udhëheq i ka propozuar.

Abdixhiku ka thënë se me refuzimin e këtyre amendamenteve u refuzua zhvillimi, e ardhmja dhe interesi publik.

Reagimi i plotë i Abdixhikut:

21 amendamente të LDK-së për Buxhetin e Kosovës u refuzuan. Me to u refuzua zhvillimi. U refuzua e ardhmja. U refuzua interesi publik. Fundja nuk ishin të LDK-së, ishin të vetë Kosovës.

Ndër amendamentet më të rëndësishme që shumica vendosi t’i bllokojë ishin projekte jetike për qytetarët dhe shtetin. Refuzuan:

– Unazën e kryeqytetit

– Mësimin tërëditor në Kosovë

– Digjitalizimin e shëndetësisë

– Spitalin e Prishtinës

– Digjitalizimin e të gjitha shkollave

– Memorialin e Kosharës e Muzeun e Lubeniqit.

Ky nuk ishte refuzim teknik. Ishte refuzim politik i vizionit, i zhvillimit dhe i përgjegjësisë shtetërore. Dhe për këtë ndjejmë vetëm keqardhje.

Keqardhje që fëmijëve u mohohet mësimi tërëditor si çdo fëmije tjetër në Evropë. Keqardhje që pacientëve u mohohet shërbimi dinjitoz e modern me shekullin e sotëm. Keqardhje që kryeqytetit i mohohet zhvillimi; i mbahet kaosi e ngufatja. Keqardhje që historia trajtohet pa ndjeshmëri; Kosharen e Lubeniqin e përdorin vetëm për vizita fotografike.

LDK-ja do të vazhdojë të avokojë dhe të shtyjë përpara projekte të jetës reale, të ekonomisë reale dhe të vizionit zhvillimor të vendit tonë.