75 Mall Live Search
19:15 / E Premte, 20 Shkurt 2026 / MSH1

Teherani në gjendje gatishmërie, për sulmet nga SHBA-ja

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po shtojnë prezencën ushtarake në Lindjen e Mesme, Irani ka ndërmarrë masa për të treguar gatishmërinë e tij për konflikt, duke forcuar objektet bërthamore dhe rindërtuar fabrikat e raketave.

Negociatorët iranianë dhe amerikanë zhvilluan bisedime indirekte në Gjenevë për rreth tre orë e gjysmë të martën, por pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Diplomati i lartë iranian, Abbas Araghchi, tha se u dakordësuan mbi “parime udhëzuese”, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se Irani nuk kishte pranuar “vijat e kuqe” të vendosura nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Pas sulmit izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit të kaluar, i cili shkatërroi pjesë të programit bërthamor dhe fabrikat e raketave, imazhet satelitore tregojnë rindërtim të gjerë. Bazat raketore në Khorramabad, Tabriz dhe Hamadan janë riparuar, duke rikthyer hyrjet dhe pistat e bombarduara.

Irani ka rindërtuar gjithashtu fabrikën më të madhe të raketave me karburant të ngurtë në Shahrud, duke e bërë prodhimin e raketave më efikas se më parë, sipas ekspertëve.

Imazhet satelitore tregojnë përforcime të tuneleve dhe objektet bërthamore në Natanz dhe Parchin. Sipas Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare (ISIS), objektet po mbulohen me beton dhe dhe, duke krijuar bunkerë të vështirë për t’u goditur nga ajri.

Eksperti Jeffrey Lewis tha se rindërtimi sugjeron se Irani mund të ketë zhvendosur pajisjet e ndjeshme në vende të sigurta nëntokësore përpara sulmeve izraelite.

Pas konfliktit, Irani ka forcuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe krijuar Këshillin e Mbrojtjes, me veteranin Ali Shamkhani në krye. Ky hap shihet si përgatitje për skenarë ekstremë, përfshirë mundësinë e një sulmi amerikan ndaj udhëheqjes së lartë.

Regjimi ka intensifikuar gjithashtu shtypjen ndaj pakënaqësisë së brendshme, duke përdorur forcat Basij për të shpërndarë protesta të fundit dhe duke arrestuar figura reformiste.

Irani ka zhvilluar stërvitje detare në Gjirin Persik dhe manovra të përbashkëta me Rusinë në Gjirin e Omanit. Për herë të parë, Gardës Revolucionare i është dashur të mbyllë për disa orë pjesë të Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin global me naftë.

SHBA-ja ka dislokuar dy aeroplanmbajtëse në rajon, duke rrëzuar një dron iranian dhe duke përballuar afrime kërcënuese nga anije të Gardës Revolucionare.

Eksperti Vali Nasr tha për CNN se strategjia iraniane synon të tregojë se një luftë me SHBA do të kishte kosto të larta dhe se Uashingtoni duhet të llogarisë pasojat para çdo sulmi.