75 Mall Live Search
14:06 / E Diele, 22 Shkurt 2026 / b l

Pse duhet të ketë reformë të thellë dhe të mirëfilltë zgjedhore?

Shkruan: Burim Ahmetaj

Pjesa I.

Në Republikën e Kosovës si një demokraci e re, një aspekt shumë i rëndësishëm janë edhe zgjedhjet të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e demokracisë. Mirëpo duke analizuar me kujdes proceset zgjedhore të organizuara në vitin ndër vite dhe me theks të veqantë zgjedhjet në vitin 2025 e sidomos ato të mbajtura me 28 dhjetor 2025, atëherë duhet të ngritet alarmi se Kosova ka nevojë urgjente për reformë të thellë dhe të mirëfilltë zgjedhore.

Duke parë dhe analizuar ndër vite proceset zgjedhore, shihet se pothuajse problemi kryesor qendron tek shtrembërimi i rezultateve të kandidatëve, dhe të gjitha vonesat me rinumërime deri në certifikimin e rezultateve vijnë si pasojë e shtrembërimit të votave të kandidatëve brenda të njejtit subjekt politik. Por nuk është vetëm mos shënimi i saktë i votave të kandidatëve faktori kryesor që ndikon në procesin zgjedhor andaj duhet të ngriten disa pyetje të cilat mund t’i kontribuojnë reformës zgjedhore.

  • Pse shtrembërimi i rezultateve ndodh pikërisht te votat e kandidatëve, e jo te votat për subjekte politike?
  • A është ky shtrembërim pasojë e gabimeve njerëzore apo e ndërhyrjeve të qëllimshme politike?
  • Qfarë pasojash për vendin prodhojnë vonesat e certifikimit të rezultateve?
  • Modeli aktual i numërimit a garanton saktësi të votave të kandidatëve brenda të njëjtit subjekt?
  • Cilat modele dhe praktika më të mira duhet ti marrë Kosova nga vendet tjera Europiane?
  • Si të përmirësohet dhe avansohet sistemi zgjedhor në Kosovë?
  • A duhet të përafrohet Kosova me modelet e vendeve Europiane?
  • Cilat janë nevojat për reformim?

Rinumërimet ndër vite kanë adresuar problemet që shkakton shtrembërimi i rezultateve dhe vota preferenciale, por jo shkaqet e problemit. Në këtë kontekst, nevoja për reformë nuk është më çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri. Për të arritur në një nivel ku vendi nuk do të ketë nevojë për korrigjime pas zgjedhore, atëherë duhet të mirren hapa thelbësore dhe konkret për arritjen e këtij qëllimi siç mund të jenë:

  • Depolitizimi i procesit zgjedhor;
  • Zgjedhja e drejtpërdrejte e Presidentit nga populli;
  • Votimi i hershëm (Early Voting);
  • Votimi jashtë vendit;
  • Ndarja në zona zgjedhore dhe krijimi i një zone zgjedhore për Diasporën;
  • Vota preferenciale vetëm për një kandidat;
  • Digjitalizimi i disa proceseve zgjedhore;

Në vijim, secili nga këta propozime do të trajtohet në mënyrë të veçantë, duke u analizuar arsyetimi, qëllimi dhe ndikimi i tyre i mundshëm në forcimin e integritetit të procesit zgjedhor. Fokus i veçantë do t’i kushtohet mënyrës se si këto mund të kontribuojnë në parandalimin e shtrembërimit të rezultateve, reduktimin e nevojës për rinumërime pas zgjedhore dhe certifikimin e rezultateve zgjedhore brenda pak ditëve.

Sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës

Sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës është ndërtuar në rrethana dhe kushte të veçanta historike dhe politike, të cilat burojnë nga procesi i ndërtimit të shtetit dhe konsolidimit demokratik që në theks ka garantimin e të drejtës për të zgjedhur dhe të drejtën për tu zgjedhur për të gjithë shtetasit që kanë mbushur moshën 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve, duke i sanksionuar këto të drejta si liri themelore të njeriut.

Sistemi zgjedhor aktual në Kosovë ka një zonë të vetme zgjedhore në nivel kombëtar, me lista të hapura zgjedhore, me votë preferenciale deri në dhjetë (10) kandidatë si dhe mekanizma të posaçëm për garantimin e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë dhe barazisë gjinore. Këto elemente kanë kontribuar në përfshirjen e gjerë politike dhe në respektimin e parimit të pluralizmit. Megjithatë, praktika zgjedhore e deritanishme ka evidentuar një sërë sfidash që lidhen me funksionimin efektiv të këtij sistemi, duke përfshirë përfaqësimin disproporcional, fragmentarizimin e skenës politike, vështirësitë në krijimin e shumicave të qëndrueshme parlamentare dhe dobësimin e lidhjes së drejtpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur dhe trupit elektoral.

Referuar procesit të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur me 28 dhjetor 2025 si dhe zhvillimet e fundit që lidhet me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, kjo ka nxitur debat mbi nevojën për reformë të mirëfilltë dhe të thellë zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës deri me tani, pothuajse në shumicën e rasteve “të jashtëzakonshme”, reformë zgjedhore jo e mirëfilltë ku sistemi është me një zone të vetme zgjedhore, vota preferenciale deri në dhjetë kandidatë duke mos pasur lidhje direkte mes votuesit dhe përfaqësuesve, nuk ka mundësuar përfaqësim të drejtë, të barabartë dhe efektiv të qytetarëve në Kuvend. Përkundrazi kjo praktikë ka dëshmuar se modeli ekzistues ka ndikuar në dobësimin e lidhjes ndërmjet votuesit dhe përfaqësuesve, si dhe rritjen e ndikimit të kandidatëve të subjekteve politike tek anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe numëruesit duke tjetërsuar vullnetin e votuesit.

Rinumërimet e fletëvotimeve

Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve në nivel vendi në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 ka shpërfaqur ndikimin e vazhdueshëm të kandidatëve në proces zgjedhor, ku kandidatë të caktuar të subjekteve politike kanë arritur ti thejnë pothuajse të gjitha protokollet zgjedhore dhe të arrijnë tjetërsimin apo shtrembërimin e vullnetit të qytetarit.

Krahasuar me rinumerimet e proceseve zgjedhore nga viti 2007 e tutje, natyra e tjetërsimit të vullnetit të qytetarit ka qenë e lokalizuar vetëm në vendvotime të caktuara, Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të organizuara me 12.12.2010, Kosova është ballafaquar me tjetërsimin e votave mes subjekteve politike dhe po ashtu mes kandidatëve brenda subjekteve politike. Në atë kohë janë adresuar një numër i madh i parregullsive tek organet e drejtësisë dhe pas kësaj, në zgjedhjet pasuese nuk ka pasur tendencë të tjetërsimit të votave mes subjekteve politike por vetëm të kandidatëve brenda subjekteve politike. Vlen te theksohet se edhe ne zgjedhjet e vitit 2007 ku kanë qene tri pale zgjedhje, te gjitha vendvotimet jane rinumeruar në QNR e cila atëbotë menaxhohej nga OSBE. Nder vite janë bërë përpjekje të ndalet trendi i tjetërsimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike, por ka qenë e pamundur për arsye se në vendvotime të caktuara prapëseprapë nuk janë shenuar saktë votat e kandidatëve. Të gjitha këto janë vërejtur duke kontrolluar të dhënat e formularëve të rezultateve duke krahasuar totalin e votave të kandidatëve me votat e subjektit politik. Nga këto verifikime, ka pasur tri kategori të parregullsive. Parregullsia e pare është kur një kandidat apo gjithë kandidatët kanë pasur më shumë vota se subjekti, rastet tjera janë kur subjekti politik ka pasur vota ndersa kandidatët nuk kanë pasur vota dhe rastet kur subjekti nuk ka pasur vota dhe kandidatët kanë pasur vota. Të gjitha këto raste janë hetuar dhe adresuar adresuar tek KQZ, e cila ka marrë vendim për rinumërimin e gjithë atyre vendvotimeve. Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2019 janë rinumëruar mëse 88.50% e vendvotimeve mirëpo dallimet nuk kanë qenë në këto nivele dhe përmasa të cilat jemi duke i pare në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Deri në vitin 2021 votat e kandidatëve janë numëruar në vendvotim duke iu nenshtruar një kontrolli dhe verifikimi të dyfishtë sa i përket shënimit të votave të kandidatëve në formularë të rezultateve, përveq në rastet të cilat janë deshmuar edhe nga vendimet gjyqësore se KVV (komisionerë) të caktuar kanë shtrembëruar qëllimshëm rezultatin. 

Para reformës zgjedhore 2023, procesi i numërimit të vendvotimeve ka qenë në vendvotim duke numëruar manualisht për kandidatë, qka do të thotë se Kryesuesi i Vendvotimit ose njeri nga komsionerët ka lexuar votat e subjekteve dhe kandidatëve ndersa dy komisionerë paralelisht kanë plotësuar fletat llogaritëse të kandidatëve, të cilat pas leximit të gjitha fletëvotimeve, janë krahasur mes veti në prani edhe të vëzhguesve me qëllim të saktësisë dhe pasi janë verifikuar atëhere votat për kandidat janë bartur në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve. Pra gjithë ky proces i nenshtrohej shenimit dhe verifikimit të dyfishtë me qëllim saktësinë e rezultateve. Edhe gjatë bartjes së votave, një anëtarë i vendvotimit lexon votat dhe tjetri verifikon. Duke vështruar, hetuar dhe analizuar ketë proces nder vite, konsiderohet se përveq gabimeve njerëzore dhe teknike, mos shenimi i saktë i votave të kandidatëve ka ndodhur pothuajse vetëm gjatë bartjes në formular të rezultateve, ku ai që ka shenuar votat e kandidatëve ka mundur ta shfrytëzojë momentin për të mos shënuar saktë votat e kandidatëve gjatë bartjes.

Në proceset zgjedhore që janë mbajtur në vitin 2025 përfshirë edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit, me qëllim rritjen e transparencës për procesin e numërimit të votave të kandidatëve është përdorur teknologjia, duke i dhënë rendesi të madhe transparencës por jo saktësisë, duke mos pasur verifikim të dyfishtë. Mungesa e kontrollit të dyfishtë, apo vetë konfigurimi i tavolinës së numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, u ka krijuar kandidatëve të subjekteve mundësi reale për ndërhyrje në procesin e numërimit përmes numëruesve duke shtrembëruar vullnetin e qytetarëve.

Duhet të theksohet se të njejtit numërues, kanë numëruar me shumë saktësi votat e subjekteve politike ndërkohë që votat për kandidatët brenda subjekteve politike janë numëruar dhe regjistruar jo saktë duke shtrembëruar vullnetin e votuesit. Kjo shihet qartë gjatë rinumërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet në Prizren, Malishevë apo në nivel vendi, ku nga 50% të vendvotimeve të rinumëruara, janë mëse 80 mijë vota të shënuara jo saktë. Kjo duhet të ngrisë alarmin se Republika e Kosovës duhet të ketë reformë të thellë dhe të mirëfilltë zgjedhore.

Tabela 1. Rinumërimet e vendvotimeve sipas viteve zgjedhore 2009-2021

Duke analizuar me kujdes të gjitha shkaqet e rinumërimeve ndër vite, rezulton se problemi kryesor është ndikimi i kandidatëve të subjekteve politike në procesin zgjedhor duke ndikuar direkt tek komisionarët, të cilët janë po ashtu përfaqësues të subjekteve politike.

Reforma duhet të shqyrtojë me kujdes të gjitha këto elemente dhe të ofrojë zgjidhje që garantojnë përfaqësim më të drejtë politik, pa cenuar stabilitetin institucional dhe rendin kushtetues edhe nëse reforma mund të prek pjesë nga sistemi zgjedhor siç janë zonat zgjedhore, kandidatët e subjekteve politike sipas zonave, votimi jashtë vendit etj. Krijimi i një trupi të posaçëm për reformën zgjedhore do të përfshinte përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, akademisë dhe ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë sidomos angazhimi i shoqërisë civile dhe i ekspertëve është shumë i rëndësishëm për suksesin e reformës, pasi ata sjellin perspektiva të pavarura, njohuri profesionale dhe besueshmëri publike.

Në Kosovë, pavarësisht sukseseve ndër vite të disa proceseve zgjedhore, të cilat janë konsideruar si mirë të organizuara, prapëseprapë ka nevojë për përmirësime në administrimin e zgjedhjeve, sidomos nga zgjedhjet 2021 e tutje, ku kemi vlerësime jo të kënaqshme nga mekanizmat monitoruese të zgjedhjeve si ato vendore po ashtu dhe ndërkombëtare sidomos nga Misioni i Vëzhguesve të BE, po ashtu nga organizimet e shpeshta të zgjedhjeve, ekzistojnë perceptime negative edhe nga ana e qytetarëve. Te gjitha këto lidhen me integritetin e procesit, sidomos në fazat e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, ndërrimit të qendrave të votimit dhe krijimit të listës votuese, regjistrimit të votuesve jashtë vendit dhe votimit jashtë vendit, numërimit të votave, menaxhimit të ankesave, tabulimit të rezultateve, ankesat, rinumërimet dhe certifikimit të rezultateve.

Pjesa II.

Duke analizuar procesin e fundit zgjedhor, shihet qartë se integriteti dhe besimi në procesin zgjedhor janë cenuar në masë të madhe, andaj fillimi i një reformë të mirëfilltë dhe të thellë zgjedhore është mese i nevojshëm dhe urgjent. Lidhur me gjitha që u thanë më lartë nga analiza e bërë janë arritur disa konkluzione se shumë aspekte thelbësore zgjedhore duhet të ndryshohen, reformohen dhe avancohen.

Përbërja e KQZ

Në lidhje me përbërjen e organeve që administrojnë zgjedhjet, nëpër vendet e Europës shihet se në shumicën e vendeve të Europës perëndimore, zgjedhin modelin e përfaqësimit që të mos bëhet nga përfaqësuesit politik. Kjo bëhet me qëllim për të shmangur ndikimin politik të partive politike mbi procesin zgjedhor. Ndër to është edhe Estonia e cila procesin e konsideron teknik, profesional, të paanshëm dhe pa ndikim politik. Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve i Estonisë ka 7 anëtar dhe përbëhet nga përfaqësues të emëruar nga institucione të pavarura kushtetuese, kryesisht gjyqtarë. Në Komisionin shtetëror të Kroacisë, Presidenti dhe dy Nënkryetarë vijnë nga Gjykata e Lartë, ndërsa dy Nënkryetarët e tjerë zgjidhen nga Parlamenti së bashku edhe me 4 anëtarë tjerë ku 2 anëtarë vijnë nga pozita dhe 2 anëtarë vijnë nga opozita, ne mënyrë që të mbahet balanca e përfaqësimit. Pra këto dy modele mund të depolitizojnë organin që administron zgjedhjet. Në rastin e Kosovës e cila është akoma një demokraci e re, në të cilën shihet qartë polarizimi politik dhe ndikimi politik në procesin zgjedhor, modeli i Estonisë do të mbronte më së miri integritetin e zgjedhjeve, i cili duhet të konsiderohet komplet teknik dhe pa ndikime politike.

Depolitizimi i procesit zgjedhor

Depolitizimi i procesit zgjedhor i cili organizohet nga KQZ, që burimin e ka nga kushtetutë, parasheh përbërjen e KQZ dhe mënyrën e emërimit ndërsa ligji për zgjedhje bazuar ne ketë parim ka krijuar edhe trupat tjera zgjedhore siç janë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) dhe Këshillat e vendvotimeve (KVV). Bazuar në ketë, gjithë procesi zgjedhor në tri nivelet e Trupave Menaxhuese të Zgjedhjeve (TMZ) organizohet dhe menaxhohet nga përfaqësuesit e subjekteve politike përmes përfaqësuesve të tyre, andaj shikuar nga perspektiva e organizimit të zgjedhjeve dhe praktikat më të mira të vendeve Europiane, depolitizimi paraqitet si një domosdoshmëri thelbësore për garantimin e integritetit, paanshmërisë dhe besueshmërisë së zgjedhjeve. Aktualisht, KQZ, KKZ dhe KVV funksionojnë me përbërje politike, ndërsa administrata zgjedhore që është Sekretariati shpesh ndodhet nën presion politik, duke rrezikuar pavarësinë profesionale të zyrtarëve (Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve – Kosovë 2025 Zgjedhjet Parlamentare 9 Shkurt, Kapitulli VI, administrimi i zgjedhjeve, faqe 16). Edhe menaxhimi i procesit zgjedhor në nivel komunal po ashtu organizohet dhe menaxhohet nga KKZ që janë përfaqësues të subjekteve politike ndërsa vetëm kryesuesi i KKZ vjen nga Sekretariati i KQZ,

Në nivelin e tretë që janë Këshillat e Vendvotimeve të cilët menaxhojnë komplet procesin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve dhe numërimin e votave, realizohet nga përfaqësuesit e Subjekteve Politike, kështu që i gjithë cikli zgjedhor duke filluar nga rregullimi i kornizës ligjore dhe administrimi deri te menaxhimi i procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi i votave, mbetet në duart e subjekteve politike që janë njëkohësisht palë garuese në zgjedhje.

Në ketë frymë, procesi zgjedhor do të duhej të kuptohet dhe trajtohet si një proces komplet teknik-administrativ e jo politik. Gara zgjedhore dhe fushata zgjedhore, bazuar edhe në praktikat më të mira të vendeve tjera, do të duhej të mbeten të vetmet funksione apo aspekte në domenin e drejtpërdrejtë të partive politike ndërsa të gjitha fazat e tjera të procesit zgjedhor do të duhej të menaxhohen nga trupa të pavarur dhe profesionale.

Shumë shtete Europiane sidomos vendet perëndimore e praktikojnë një model ku subjektet politike kanë rol vetëm garues por jo edhe rol vendimmarrës dhe garues.

Edhe Kosova mund të synojë depolitizimin, sidomos nivelin e tretë siç janë anëtarët e këshillave të vendvotimit, qoftë në një masë të pjesshme apo në mënyrë të plotë, duke ia besuar menaxhimin e vendvotimeve dhe procesin e numërimit të votave shërbyesve civilë të administratës publike. Këta shërbyes do të vepronin mbi parimin e përgjegjësisë profesionale, ku çdo tendencë, gabim ose lëshim do të sanksionohej, ndërsa shkeljet më të rënda do të mund të rezultonin edhe me masa disiplinore deri në humbjen e vendit të punës. Për realizimin e këtij qëllimi, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror për ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, të cilat do të shërbenin për mbrojtjen dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Zgjedhja e drejtpërdrejte e Presidentit nga populli

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përveç mandatit të KQZ, rolit, përbërjes dhe emërimit, po ashtu shpreh qartë mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës që zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës, mirëpo duke shikuar dhe analizuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit nga viti 2002 e tutje, Kosova si republikë parlamentare për zgjedhjen e Presidentit, duhet të krijojë shumicë për të zgjedhur presidentin, duke organizuar votimin në Kuvend, ku në herën e parë duhet të votojnë 2/3 dhe nëse nuk merr numrin e votave prej 2/3 në raundin e parë dhe të dytë, atëherë organizohet raundi i tretë, ku kërkohet që kandidati fitues të marrë shumicën e votave të gjithë deputetëve të Kuvendit. Lidhur me zgjedhjen e Presidentit ka pasur edhe aktgjykime dhe interpretime të Gjykatës Kushtetuese.

Në Republikën e Kosovës ka pasur raste kur zgjedhja e Presidentit ka dështuar apo kontestuar, mirëpo si rezultat i kësaj asnjëherë nuk ka pasur shpërndarje të Kuvendit, krizë dhe zgjedhje të reja të cilat mund të vinin si rezultat i dështimit të zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi.

Republika e Kosovës është  republikë parlamentare ashtu si shumë shtete të tjera europiane, duke u bazuar në praktikat më të mira të modeleve parlamentare në Europë. Një numër i madh i shteteve te Europës janë republikë parlamentare dhe disa prej tyre janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Finlanda, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj, të cilat edhe pse janë republike parlamentare presidenti zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.

Republika e Kosovës duhet të përafrohet me këtë model, çka kërkon nevojën për një ndërhyrje kushtetuese që do të mundësonte zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli. Një proces i tillë do të siguronte konkurrencë më të gjerë demokratike, ndryshe nga praktika aktuale ku kandidati i dytë shërben vetëm për të plotësuar anën formale, bazuar në interpretimin e gjykatës kushtetuese. Kjo do të shmangte nevojën për procedura të kontestuar brenda Kuvendit të Kosovës, si dhe për ndërhyrje përmes aktgjykimeve apo interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Votimi i hershëm (Early Voting)

Kosova nga zgjedhjet e para të organizuara nga viti 2000 e tutje, praktikon votimin me kusht dhe votimin e personave me nevoja dhe rrethana të veçanta. Ne ligjin për zgjedhje është eliminuar votimi me kusht neper secilën qendër te votimit çka do te thotë se ka pasur një qendër votimi me vetëm një vendvotim po ashtu edhe votimin me kusht gjë që si operacion e ka vështirësuar tej mase procesin zgjedhor. Reforma zgjedhore e vitit 2023 lejon votimin me kusht vetëm në një qendër votimi për secilën komunë por Kosova duhet të shkojnë në një dimension tjetër sa i përket votimi me kusht duke saktësuar Listën e Votuesve në mënyrë që të gjithë shtetasit me të drejtë vote të jenë të përfshirë në Listën e Votuesve.

Votimi i hershëm (Early Voting) është një mekanizëm zgjedhor që u mundëson qytetarëve të votojnë para ditës zyrtare të zgjedhjeve. Ky proces përdoret gjerësisht në SHBA (promotorë e këtij procesi), në shumë shtete të Europës dhe botës për të rritur pjesëmarrjen dhe për të shmangur ngarkesën e madhe në ditën e zgjedhjeve.

Votimi i hershëm i lejon votuesit të shkojnë në qendrën e votimit disa ditë para ditës së zgjedhjeve, të votojnë në mënyrë të rregullt, të shmangin radhët, pritjet ose mungesën nga vendi në ditën e zgjedhjeve. Kjo do të ju mundësonte zyrtarëve që ditën e zgjedhjeve siç janë trupat menaxhuese zgjedhore që angazhohen në ditën e zgjedhjeve, ushtria, policia, shërbimet kujdestare dhe votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta apo edhe qytetarë tjerë që ditën e zgjedhjeve do të udhëtojnë, të mund të votonin 4-5 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe vota e tyre trajtohet njësoj si vota e ditës së zgjedhjeve, vetëm që ruhet e siguruar dhe numërohet kur hapen kutitë e votimit. Për ketë nevojitet ndryshime në kornizën ligjore që eliminon votimin me kusht dhe lejon votimin e hershëm.

Votimi jashtë vendit

Votimi jashtë vendit në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ka pësuar ndryshime sa i përket mënyrës së votimit jashtë vendit, ku votuesi jashtë vendit fillimisht duhet të regjistrohet si votues jashtë vendit dhe pastaj pas aprovimit nga KQZ për plotësimin e kritereve si votues jashtë vendit mund të votojë. Me reformën e ligjit në vitin 2023 shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit i’u mundësohet votimi fizik në ambasadë apo përfaqësi diplomatike. Por votuesi pos votimit fizik mund ta shfrytëzoje të drejtën për të votuar duke dërguar fletëvotimin përmes postës.

Për votimin jashtë vendit duhet të kihet parasysh siguria e procesit zgjedhor përmes platformës së regjistrimit online, që gjatë regjistrimit për tu regjistruar si votues, verifikimi duhet të bëhet përmes dy faktorëve të identifikimit në mënyrë që ky proces mos të kompromentohet. Secili votues i regjistruar duhet të ketë numrin unik pra të pranojë numrin e konfirmimit i cili shërben si element sigurie për të dëshmuar se ky proces nuk manipulohet sikur që ka ndodhur në disa procese zgjedhore. Dhe elementi i dytë i sigurisë është që secilit votues duhet ti dërgohet personalisht fletëvotimi përmes postës, të cilin e plotëson personalisht secili votues i regjistruar jashtë vendit dhe e dërgon në përmes postës. Siguria e këtij procesi është shumë e rëndësishme sepse ne të kaluarën ky proces ka qenë i pambrojtur dhe është përdorur në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.

Pjesa III.

Ndarja në zona zgjedhore

Republika e Kosovës m Ligjin Nr. 08/L-228 për zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës ka vetëm një zonë zgjedhore në nivel vendi, çka nuk kontribuon në përfaqësimin e drejtë territorial. Votat e qyteteve më të mëdha siç janë Prishtina, Prizreni, Ferizaji, Peja apo bastionet, kanë më shumë ndikim në përzgjedhjen e deputetëve sesa ato nga zonat më të vogla rurale.

Shumica e demokracive në botë si Gjermania, Estonia, Kroacia, Sllovenia dhe shume vende tjera kryesisht perëndimore, ndajnë territorin në zona zgjedhore për të siguruar përfaqësim gjeografik të përfaqësuar dhe të balancuar. Në këtë rast deputetët përfaqësojnë komunitete të caktuara, dhe jo vetëm partinë. Siç është aktualisht Kosova në një zonë të vetme, votuesit nuk kanë lidhje direkte me deputetin “e vet”. Kjo dobëson llogaridhënien dhe e bën përfaqësuesin më shumë “përfaqësues partie” sesa “përfaqësues i votuesit apo qytetarëve”.

Përndryshe në më shumë zona zgjedhore, forcohet konkurrenca lokale dhe kandidatët e rinj të komunitetit, kandidatë që janë të lidhur drejtpërdrejtë me votuesin dhe aktivistët lokalë kanë më shumë shanse për të hyrë në kuvend.

Kalimi në disa zona zgjedhore do të përmirësonte përfaqësimin e balancuar rajonal. Shtatë zona do të jenë përfaqësim real rajonal dhe përfaqësojnë shumicën shqiptare 100 vendet për kuvendin e Kosovës ndërsa dy (2) zona do të jenë në nivel kombëtar siç janë zona 8 e cila ka karakter kombëtar dhe përfaqëson vendet e garantuara për grupet minoritare dhe zona zgjedhore 9 e cila është zonë e veçantë e karakterit kombëtar dhe përfaqëson Diasporën.

Kalimi nga një zonë e vetme zgjedhore në një model me nëntë (9) zona zgjedhore, prej tyre shtatë (7) zona rajonale dhe dy (2) zona kombëtare, do të kontribuonte në një përfaqësim shumë më të balancuar rajonal. Shtatë prej këtyre zonave do të kishin karakter rajonal ku subjektet dhe kandidatët e subjekteve të këtyre zonave do të kandidojnë brenda zonës të ndarë në 7 rajone, ndërsa dy zona do të kishin karakter kombëtar. Zona zgjedhore 8 kombëtare e dedikuar për përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë në Republikën e Kosovës ku të gjitha subjektet e komuniteteve jo shumicë do të garonin në një zonë të vetme për 20 vende të minoriteteve 10 të komunitetit jo shumicë serb dhe 10 vende të komuniteteve jo shumicë tjera. Dhe zona zgjedhore 9 kombëtare – Diaspora e cila do të shërbente si zonë kombëtare për përfaqësimin e Diasporës, ku të gjithë votuesit jashtë vendit që regjistrohen për të votuar jashtë vendit do të mund të votonin për pesë (5) vende për subjektet dhe kandidatët e tyre dhe kryesisht janë përfaqësues të subjekteve në Diasporë. Ky model bazohet në modelin Kroat pos zonave regjionale ka edhe 2 zona të veçanta zgjedhore, një për minoritete (8 vende) dhe një për diasporë (3 vende).

Për ndarjen dhe përcaktimin e zonave zgjedhore, si referencë është marrë ndarja rajonale që aktualisht përdoret nga Ministria e Punëve të Brendshme, veçanërisht në funksion të organizimit rajonal dhe sistemit të targave të automjeteve si dhe klasifikimi statistikor i realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të cilat e strukturojnë territorin në shtatë rajone për qëllime të grumbullimit dhe paraqitjes së të dhënave. Kjo skemë rajonale do t’i shërbente ndarjes në zona zgjedhore duke mundësuar një ndarje më të balancuar dhe funksionale të komunave brenda zonave zgjedhore si dhe shpërndarjen e 100 mandateve ndërmjet tyre. Ndërsa për mandatet brenda zonave zgjedhore është marrë numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote në zgjedhjet e vitit 2025 duke e përkthyer në mandate.

Tabela 2. Ndarja në zona zgjedhore

Në Kosovë fletëvotimi sipas sistemit te ndarjes neper zona zgjedhore, votuesi, subjekti dhe sidomos kandidati duhet të jenë të lidhur me zonën çka do të thotë se fletëvotimi duhet të jetë shume i thjeshtë. Nga raportet zgjedhore lidhur me fletëvotimet e pavlefshme nga zgjedhjet e mbajtura ne Kosove nga viti 2010 deri ne vitin 2021 shihet se nga numri i përgjithshëm i pavlefshmërisë, mesatarisht 6-8% janë shpallur fletëvotime te pavlefshme ne nivel vendi. Prej kësaj përqindje te fletëvotimeve te pavlefshme, rreth 75% prej tyre ka ardhur për shkak se votuesi është fokusuar tek kandidati duke mos shënjuar subjektin dhe si rrjedhore kemi pasur fletëvotimin e pavlefshme.

Një ndarje e tillë në zona zgjedhore do të kontribuonte në rritjen e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të kandidatëve në zonat zgjedhore apo territoret përkatëse, duke eliminuar komleksitetin dhe nevojën për votën preferenciale deri në dhjetë (10) kandidatë dhe duke e bërë fletëvotimin më të thjeshtë dhe më të kuptueshëm për votuesin.

Vota preferenciale

Vota preferenciale deri ne dhjetë kandidatë praktikohet pothuajse vetëm në Kosovë, përkundër vendeve tjera Europiane të cilat nuk kanë votë preferenciale me shumë se një. Vota preferenciale deri ne 10 kandidatë ka edhe disavantazhet e veta dhe është proces i komplikuar për votuesin, rritje e votave rastësore ku votuesi plotëson vendet vetëm për të plotësuar fletëvotimin, vështirësi në numërim dhe shumë gabime, shumë fletëvotime të pavlefshme, favorizon kandidatët me struktura të mëdha partiake dhe grupet brenda partive pra jo domosdoshmërish cilësinë, nuk e rrit llogaridhënien si dhe mos shënimin e sakte te votave të kandidatëve brenda subjekt e cila ka ndodhur për shumë vite. Pra me 10 preferenca, përgjegjësia ndahet dhe shtrembërohet. Praktika më e mirë dhe që e praktikojnë shumica e vendeve Europiane është duke votuar vetëm një kandidat. Edhe fletëvotimi do të jetë më i thjeshtë, numërohen saktë dhe shpejtë, pastaj kostoja e fletëvotimit është më e ultë e kështu me radhë.

Kosova modelin me të mirë e ka në zgjedhjet për Kuvendin Komunal ku votuesi voton vetëm për një kandidat, ndërsa bartësi i listës lidhet me votat e subjektit. Kjo do ta bënte procesin me të thjeshtë, më transparent, më efektiv, më efikas, dhe do të shpërfaqte fuqinë reale të kandidatit brenda subjektit. Si rezultat i kësaj edhe fletëvotimi mund të jetë i thjeshtë dhe do të kishte kosto shumë më të vogël të fletëvotimit. Modeli i fletëvotimit pastaj mund të përcaktohet por gjithmonë duhet pasur parasysh qëllimin që votuesit ti lehtësohet dhe thjeshtohet sa më shumë procesi i votimit. Një opsion për fletëvotim mund të jetë ku votuesi mund të shënojë vetëm numrin  e kandidatit, sikurse që e praktikojnë shumë shtete Europiane. Shembulli më i mirë është Estonia ku votuesi shënon vetëm numrin e kandidatit, i cili lidhet me subjektin dhe bartësin e listës për atë zonë zgjedhore, në ketë rast kemi rezultatet për subjekt dhe bartësin e listës dhe po ashtu rezultatin për secilin kandidat. Në ketë rast ku votuesi duhet të shënoje vetëm numrin unik garues të kandidatit duhet të kihet parasysh edhe edukimi qytetar. Sistemi me lista te hapura dhe të votohet vetëm një kandidat, kjo bën që fletëvotimi nuk shpallet i pavlefshëm dhe vota e kandidatit lidhet direkt me subjektin rrjedhimisht edhe bartësin e listës, përveç në rastet kur votuesi qëllimisht e len te zbrazët fletëvotimin. Sigurisht qe ne të gjitha rastet pas numërimit duhet të ketë verifikim nga një trup tjetër e cila do të garantonte saktësinë e numërimit saktë të secilës votë. Sipas këtij modeli, të gjitha fletëvotimet mund të numërohen në vendvotim menjëherë pas mbylljes së vendvotimi dhe ti kemi rezultatet preliminare dhe të nesërmen duhet të bëhet një verifikim me qëllim saktësinë e numërimit.

Modelet e fletëvotimit do të mund të përcaktoheshin pas shqyrtimit publik, ku kontribut mund të japin edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertëve zgjedhorë.

Foto nga fletëvotimi në Estoni, zgjedhjet parlamentare 2019

Digjitalizimi i disa proceseve zgjedhore

Kosova edhe pas ndryshmeve ligjore nuk ka mundur të bëjë hapa të mëdhenj drejt digjitalizimit të mirëfilltë të proceseve zgjedhore. Ndër proceset që mund të digjitalizohet është edhe identifikimi elektronik, sistem të cilin e përdorin po ashtu edhe disa shtete të rajonit siç janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat bëjnë identifikimin elektronik të votuesve në ditën e votimit.

Në kuadër të digjitalizimit të proceseve zgjedhore, Kosova mund ti digjitalizojë disa procese sa i përket votimit dhe numërimit të fletëvotimeve. Në shtetin e Pensilvanisë (SHBA) në të gjitha qarqet (County) përdoren makinat gjatë procesit të votimit dhe numërimit. Megjithatë, votuesi nuk e plotëson fletëvotimin përmes ekranit elektronik por e shënon atë në mënyrë tradicionale, në letër. Më pas, fletëvotimi vendoset në një pajisje skanuese, ku fillimisht skanohet dhe rezultati i votës regjistrohet në databazën e makinës ndërkohë që vetë fletëvotimi arkivohet fizikisht në kutinë e votimit e cila është pjesë integrale e pajisjes skanuese. Makina që bën skanimin e fletëvotimit e bën leximin optik të fletëvotimit  (optical scan voting system) dhe tabulimin e rezultateve. Pra votuesi përdor fletëvotimin (letër) dhe pas votimit, fletëvotimi kalon në skaner që lexon shenjat, e konverton në vota për subjekte dhe kandidatë dhe ruan gjithashtu fletëvotimin për auditim eventual. Kjo do të mund të vije në shprehje nëse mbeten 10 apo 5 preferenca për kandidat, në mënyrë që procesi i numërimit të mos i besohet më njeriut por makinës, ku sigurisht edhe pse makina numëron, me qëllim të saktësisë, duhet të ketë disa verifikime rastësore të një numri të konsideruar të vendvotimeve. Kjo mënyrë është e kushtueshme, pasi kërkon sigurimin e pajisjeve për çdo vendvotim. Megjithatë, për shkak të kostos së lartë, modeli mund të optimizohet duke blerë vetëm një numër të kufizuar pajisjesh të cilat do të përdoren në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) ose në Qendrat Rajonale të Numërimit. Por në ketë rast do të mund të bëhet vetëm leximi optik, çka do të thotë se votimi bëhet në mënyrë tradicionale në vendvotim ndërsa verifikimi i votave te subjekteve dhe numërimi i votave te kandidateve bëhet në qendra të koncentruara në secilën komunë apo ne qendra rajonale. Në këtë rast, të gjitha fletëvotimet, sipas vendvotimeve përkatëse, do të dërgohen për skanim dhe tabulim të rezultateve përmes leximit optik.

Reforma zgjedhore

Pra nga analiza dhe hulumtimi i shumë proceseve zgjedhore, hapat kryesor dhe të domosdoshëm që Kosova urgjent duhet ti ndërmarr në reformë zgjedhore me qëllim rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe marrjen e praktikave më të mira nga vendet tjera janë: zgjedhja e drejtpërdrejte e Presidentit nga populli, depolitizimi i procesit zgjedhor, votimi i hershëm (të hiqet votimi me kusht), ti rritet integriteti i votimit jashtë Kosovës, ndarja në zona zgjedhore, të hiqet vota preferenciale dhe të votohet vetëm një kandidat, menaxhimi i procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim të mos bëhet nga përfaqësues të subjekteve politike por nga shërbyesit civil dhe numërimi i votave të kandidatëve nëse preferenca mbetet 5 apo 10 të bëhet përmes leximit optik nga makina (jo nga njeriu) në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) apo në Qendrat Rajonale të Numërimit (QRN).

Analiza e zhvilluar në këtë punim ka nxjerrë në pah një sërë konkluzionesh kritike, sipas të cilave një numër i konsiderueshëm i aspekteve themelore të sistemit zgjedhor kërkojnë ndryshim thelbësor kushtetues, ligjor, reformim strukturor dhe avancim të qëndrueshëm, me qëllim forcimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe rritjen e besimit publik në administrimin e tij.

Shkrimi në fragmente të shkurta dhe në mënyrë përmbledhëse është përgatitur nga punimi i studimeve master në Universitetin e Prishtinë dhe pasqyron pikëpamjet, analizat dhe përfundimet personale dhe akademike të autorit. Çdo pikëpamje dhe përfundim i shprehur në këtë punim është e natyrës akademike andaj përmbajtja e tij nuk përfaqëson dhe nuk duhet të interpretohet si qëndrim zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Republikës së Kosovës apo i ndonjë institucioni tjetër. Autori mban përgjegjësi të plotë akademike për përmbajtjen e punimit.

Autori i këtij shkrimi punon mbi 17 vjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku për një periudhë të gjatë ka menaxhuar Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Angazhimi i tij shumëvjeçar në planifikimin, organizimin dhe zbatimin e proceseve kyçe zgjedhore siq janë rezultatet e zgjedhjeve, e pozicionon atë si njohës dhe ekspert të çështjeve zgjedhore, me përvojë të drejtpërdrejtë në administrimin dhe garantimin e integritetit të rezultateve zgjedhore.