75 Mall Live Search
09:50 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / S Z

Vllasi: Masat e BE-së s’duhet të lidhen me dialogun Kosovë-Serbi

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka deklaruar se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi do të ndodhë në momentin kur i dërguari special dhe ndërmjetësuesi evropian t’i ftojë palët në tryezën e bisedimeve, duke thënë se pala kosovare duhet të jetë e përgatitur për këtë proces.

‘’Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë atëherë kur emisari special -ndërmjetësuesi Soren Petersen do t’i thërrasë palët pranë tavoline. Pala kosovare duhet të jetë gati’’, tha Vllasi për FrontOnline.

Sipas Vllasit, Kosova duhet të fokusohet në dy çështje kryesore: zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të shkurtit 2023 dhe të Ohrit të marsit 2023, si dhe insistimin në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.

 ‘’Pala kosovare duhet të insistoi në dy çështje: a) zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit nga shkurti i vitit 2023 dhe të Ohrit nga marsi 2023; b)Të insistohet në njohjen reciproke Ks-Rs, si dy shteteve të pavarura siç thuhet edhe në Ligjin për strategi të presidentit D. Trump’’, tha për FrontOnline Vllasi.

Ai vlerëson se pala serbe do të kërkojë formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ndërsa qëndrimi i Kosovës, sipas Vllasit, duhet të jetë se kjo është çështje e brendshme e Kosovës, e cila zgjidhet në bashkëpunim me serbët e Kosovës dhe pushtetin lokal.

‘’Pala serbe do të insistojë në bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Qëndrimi i palës kosovare duhet të jetë: kjo çështje është ekskluzivisht punë e brendshme e Kosovës dhe do të zgjidhet në bashkëpunim me serbët e Kosovës’’, tha Vllasi.

Vllasi ka komentuar edhe masat e Bashkimit Evropian, duke theksuar se ato, sipas deklarimeve të autoriteteve evropiane, hiqen pas konstituimit të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë dhe nuk duhet të ndërlidhen me dialogun, pasi një gjë e tillë do të interpretohej si presion ndaj Kosovës.

Ai shton se BE-ja është e informuar për qëndrimin e Serbisë lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të vitit 2023 dhe, nëse duhet të ketë masa ndëshkuese ndaj ndonjërës palë, ato duhet të drejtohen ndaj Serbisë.

‘’Autoritetet e BE-së kanë deklaruar se masat hiqen pas konstituimit të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë. Prandaj nuk duhet të ndërlidhen assesi me dialog Kosovë-Serbi  ngase do të dilte si shantazhim për Kosovën dhe se te Kosova qenka faji që dialogu nuk po jep rezultat. BE-ja e di se Qeveria e Serbisë me shkrim i ka informuar se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023. Prandaj nëse ndonjëra palë duhet të kërcënohet me masa, ajo është pala serbe’’, u shpreh Vllasi.