Peci i shkon në zyrë Gërvallës, ja çfarë diskutuan dy liderët e partisë
Faton Peci ka vizituar ministren e Drejtësisë Donika Gërvalla, në zyrën e saj, ku i ka uruar suksese në detyrën e re dhe ka shprehur mbështetjen e plotë për angazhimin e saj në krye të këtij dikasteri.
Peci vlerësoi se detyra e re e Gërvallës, përveç profesionalizmit dhe vizionit të qartë, kërkon edhe guxim, duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në vend. Sipas tij, ky sistem mbetet ndër më sfiduesit dhe kërkon integritet, vendosmëri, energji, konsekuencë dhe përkushtim të lartë.
Ai theksoi se Gërvalla i posedon këto cilësi, duke përmendur guximin e saj të dëshmuar ndër vite dhe në procese të rëndësishme për vendin. Peci u shpreh i bindur se emërimi i saj si ministre e Drejtësisë do të forcojë më tej rrugën e reformave të nisura më herët në këtë institucion.
“Detyra e re e Donikës, përveç profesionalizëm e vizion të qartë, kërkon edhe guxim. Për shkak se sistemi i drejtësisë është ndër më sfiduesit. Ai kërkon edhe integritet, zë të kthjellët, vendosmëri, energji, konsekuencë, pastërti e drejtësi në shpirt, cilësi këto që e veçojnë Donikën. Donika Gërvalla e ka guximin, të dëshmuar në vite e dekada, në procese e në etapa të rëndësishme. Prandaj emërimi i saj si ministre e Drejtësisë na mbush me besim e me bindje se rruga e nisur nga ministrja Haxhiu, do të shtrohet e fortë dhe do të jetë e pakëkundur. Me fat përgjegjësia e re, Donikë! Le të jetë ky rrugëtim i vështirë i udhëhequr nga parimet tua, nga integriteti dhe dinjiteti yt”, ka thënë Peci.

