75 Mall Live Search
14:15 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / S Z

Një vaksinë e vetme mund të mposhtë ftohjen, gripin dhe alergjitë

Një vaksinë e vetme në formë spërkatjeje nazale mund të mbrojë kundër të gjitha kollave, ftohjeve dhe gripit, si edhe kundër infeksioneve bakteriale të mushkërive, madje mund të ndihmojë edhe në lehtësimin e alergjive, sipas BBC.

Një ekipi studiuesish në “Stanford University” e ka testuar të ashtuquajturën “vaksinë universale” tek kafshët dhe ende nevojiten prova klinike tek njerëzit.

Qasja e re, e përshkruar në revistën shkencore “Science”, përbën një largim radikal nga mënyra se si janë disenjuar vaksinat për më shumë se 200 vjet.

Ndryshe nga vaksinat tradicionale që trajnojnë sistemin imunitar kundër një infeksioni të vetëm si vaksina kundër fruthit apo lisë së dhenve, kjo metodë synon të imitojë mënyrën se si komunikojnë qelizat imunitare mes tyre.

Vaksina jepet përmes hundës dhe lë disa qeliza të bardha të gjakut në mushkëri, të quajtura makrofagë, në gjendje gatishmërie të lartë për të reaguar ndaj çdo infeksioni që tenton të hyjë në organizëm.

Në eksperimentet me kafshë, efekti zgjati rreth tre muaj dhe uli nga 100 deri në 1 000 herë sasinë e viruseve që arrinin të depërtonin në mushkëri.

Sipas profesorit Bali Pulendran nga “Stanford University”, vaksina ofron mbrojtje të gjerë jo vetëm kundër virusit të gripit apo Covidit-19, por kundër pothuajse të gjithë viruseve dhe disa baktereve të testuara, si Staphylococcus aureus dhe Acinetobacter baumannii.

Ai thekson se parimi mbi të cilin funksionon kjo vaksinë është thelbësisht i ndryshëm nga ai i vaksinave tradicionale.

Studimi sugjeron gjithashtu se kjo qasje mund të ulë reagimin ndaj alergjenëve si merimangat e pluhurit të shtëpisë, që shpesh shkaktojnë astmë alergjike.

Profesoresha Daniela Ferreira e cilësoi kërkimin “shumë emocionues”, duke shtuar se, nëse konfirmohet tek njerëzit, mund të ndryshojë mënyrën si mbrohemi nga infeksionet e zakonshme të rrugëve të frymëmarrjes.

Megjithatë, mbeten shumë pikëpyetje. Nuk dihet nëse i njëjti efekt do të arrihet tek njerëzit apo sa gjatë do të qëndrojë sistemi imunitar në gjendje gatishmërie, transmeton ATSh.

Ekziston gjithashtu shqetësimi se stimulimi i vazhdueshëm i sistemit imunitar mund të shkaktojë efekte anësore ose çrregullime imunitare.