Ndikimi i agjërimit te pacientët me hipertension, flet Dr. Vigan Mahmutaj, kardiolog
Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është një praktikë e rëndësishme shpirtërore për shumë besimtarë, por për personat me hipertension lind shpesh dilema nëse është i sigurt.
Kardiologu Dr. Vigan Mahmutaj thekson se në shumicën e rasteve agjërimi mund të praktikohet, por vetëm në kushte të caktuara dhe me kujdes të shtuar mjekësor, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas tij, agjërimi është përgjithësisht i sigurt për individët me hipertension të kontrolluar mirë dhe pa komplikime kardiovaskulare, për sa kohë që vazhdojnë terapinë dhe monitorojnë rregullisht tensionin.
“Pacientët me hipertension mund të agjërojnë në shumicën e rasteve kur tensioni është i kontrolluar (<140/90 mmHg). Po ashtu duhet të kenë gjendje të qëndrueshme kardiovaskulare dhe të mos kenë shenja ose simptoma të pamjaftueshmërisë së zemrës apo veshkëve,” thekson Dr. Mahmutaj.
Megjithatë, jo të gjithë pacientët janë kandidatë të përshtatshëm për agjërim. Dr. Mahmutaj paralajmëron se agjërimi nuk rekomandohet te personat me hipertension të pakontrolluar apo me kriza të shpeshta hipertensive.
“Duhet të kemi kujdes nëse edhe përkundër terapisë kemi vlera të larta të tensionit dhe rekomandohet terapi në intervale të ndryshme gjatë ditës. Nëse pacienti përjeton shpesh gjendje të krizës hipertensive, që nënkupton vlera të shpeshta të tensionit rreth (180/110 mmHg), atëherë duhet të ketë kujdes.”
Ai shton se agjërimi nuk rekomandohet edhe kur hipertensioni shoqërohet me simptoma të pamjaftueshmërisë së zemrës ose me dëmtime të veshkëve.
Sipas kardiologut, agjërimi ndikon ndjeshëm në dinamikën e lëngjeve dhe statusin hemodinamik të organizmit.
“Agjërimi ndikon shumë në dinamikën e lëngjeve në trup, duke ndikuar në rritje apo rënie të tensionit. Mund të ketë efekt pozitiv, pasi reduktimi i kalorive dhe kripës mund të ulë tensionin sistolik me 4–6 mmHg.”
Megjithatë, ai paralajmëron se mungesa e lëngjeve mund të shkaktojë ulje të tensionit, sidomos në orët e pasdites.
“Mosmarrja e lëngjeve ndikon në ulje të tensionit, sidomos në orët e pasdites, që manifestohet me ndjenjën e lodhjes, marramendjes, përgjumjes dhe shikim të turbullt. Pas iftarit mund të ketë rritje të përkohshme të tensionit, sidomos pas vakteve të rënda.”
Dr. Mahmutaj thekson se, kur zbatohet si duhet, agjërimi mund të ketë edhe përfitime.
“Tek pacientët stabilë mund të kontribuojë në ulje të presionit arterial, përmirësim të metabolizmit dhe reduktim të inflamacionit, nëse shoqërohet me dietë të kontrolluar dhe vazhdim të terapisë sipas udhëzimeve të mjekut.”
Ai veçon edhe ndikimin e aspektit shpirtëror.
“Aspekti shpirtëror (lutja, reflektimi, reduktimi i stresit) ndikon pozitivisht në sistemin autonom, duke ulur aktivitetin simpatik, frekuencën kardiake dhe presionin e gjakut. Megjithatë, përfitimet varen nga stabiliteti klinik dhe kërkojnë vlerësim para fillimit të agjërimit.”
Dr. Mahmtuaj shton se një nga sfidat kryesore gjatë agjërimit mbetet dehidratimi.
“Dehidratimi është ndër arsyet kryesore që pacientët me hipertension mund të mos e tolerojnë agjërimin. Ai ul vëllimin e gjakut dhe mund të shkaktojë hipotension, marramendje dhe sinkopë, sidomos tek pacientët që marrin diuretikë dhe terapi antihipertensive.” u shpreh Dr. Mahmutaj.
Sipas tij, dehidratimi aktivizon edhe sistemin reninë–angiotensinë–aldosteron.
“Kjo shkakton luhatje të tensionit dhe ngarkesë shtesë kardiovaskulare. Gjithashtu rrit rrezikun e dëmtimit të veshkëve dhe mund të destabilizojë efektin e barnave për tensionin.”
Prandaj, ai thekson se marrja adekuate e lëngjeve gjatë Ramazanit është thelbësore.
Dr. Mahmuti rekomandon që orari i barnave të përshtatet me iftarin dhe syfyrin.
“Rekomandohen barna me veprim të zgjatur (1 herë në ditë). Terapia nuk duhet të ndërpritet pa konsultë me mjekun.” tha ai.
Kardiologu rendit situatat kur agjërimi duhet ndërprerë menjëherë,
“Tension ≥180/120 mmHg, dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, dobësi ose mpirje në një anë të trupit, çrregullime të të folurit ose të shikimit (shenja të mundshme të insultit). Gjithashtu marramendje e rëndë, humbje ndjenje (sinkopë), konfuzion apo rënie e theksuar e tensionit me simptoma kërkojnë ndërprerje.” thekson ai.
Sa i përket ushqimit, Dr. Mahmutaj rekomandon modelin ushqimor të shëndetshëm për hipertension.
“Ushqimi i rekomanduar përmban fruta, perime, drithëra të plota, proteina të dobëta (peshk, pulë), produkte bulmeti me pak yndyrë dhe yndyra të shëndetshme si arra, fara, bishtajorë dhe vaj ulliri.”
Tutje ai thekson rëndësinë e hidratimit.
“Duhet të merren 2–3 gota ujë në syfyr dhe të shmangen pijet me kafeinë të tepërt.” u shpreh Dr. Mahmutaj.
Gjithashtu rekomandohet kufizimi i kripës dhe ushqimeve të përpunuara
“Në iftar duhet të shmangen ushqimet shumë të kripura, të përgatitura me shumë vaj dhe mishrat e përpunuar, të konservuar apo të tymosur, sepse mund ta rrisin tensionin dhe të ngarkojnë zemrën.”
Sipas Dr. Mahmutit, reduktimi i kripës është thelbësor gjatë Ramazanit.
“Shoqatat Evropiane dhe Amerikane rekomandojnë <5 gram kripë në ditë për pacientët me hipertension. Kripa e tepërt rrit etjen dhe mund të përkeqësojë dehidratimin gjatë agjërimit.”
Sipas tij aktiviteti fizik nuk duhet të ndërpritet, por duhet përshtatur.
“Aktiviteti i lehtë deri mesatar është i sigurt dhe i rekomanduar. Koha më e përshtatshme është 1–2 orë pas iftarit, kur trupi është i hidratuar.” tha ai.
Në fund, Dr. Mahmuti liston gabimet që pacientët i bëjnë më shpesh gjatë Ramazanit.
“Gabimet më të shpeshta janë ndërprerja ose ndryshimi i barnave pa konsultë me mjekun, mosmatja e rregullt e tensionit dhe mosmarrja e mjaftueshme e lëngjeve.”
Ai shton se konsumimi i ushqimeve të kripura, të skuqura dhe iftareve të rënda, si dhe injorimi i shenjave paralajmëruese si marramendje, humbje e vetëdijes, dhimbje gjoksi apo frymëmarrje e vështirësuar, mund të rrisin rrezikun për komplikime./Gazeta Shneta/

