BE për Serbinë: Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si më parë
Ambasadorët e BE-së dhe Ukrainës theksuan se agresioni rus, përveç viktimave në njerëz, synon edhe trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Ukrainës, me qëllim dobësimin e themeleve të saj identitare. Katër vite pas fillimit të luftës, BE-ja dërgon kritika të qarta për marrëdhëniet e Serbisë me Moskën, ndërsa OJQ-të paralajmërojnë për ndikimin e vazhdueshëm të narrativave proruse në opinionin publik.
Qindra mijëra viktima dhe qindra objekte fetare e kulturore të shkatërruara janë pasojat e katër viteve agresion rus ndaj Ukrainës, deklaroi ambasadori ukrainas në Serbi, Oleksandr Lytvynenko, duke e cilësuar këtë si dhunën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Shpresoj sinqerisht që paqja të vijë sa më shpejt, që siguria të rikthehet jo vetëm në Ukrainë, por edhe në mbarë Evropën. Udhëheqja ruse është kriminale, jo vetëm sepse vret njerëz, por edhe sepse shkatërron objekte dhe lokalitete në Ukrainë,” tha Lytvynenko.
Ambasadori ukrainas dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi hapën një ekspozitë fotografike që paraqet shkatërrimin e mbi 500 objekteve fetare dhe kulturore, kisha, manastire, xhami dhe sinagoga, duke theksuar se agresioni rus synon edhe trashëgiminë dhe identitetin kulturor të Ukrainës.
“Ata që flasin kaq shumë për ortodoksinë ndersa kanë shkatërruar me qindra objekte fetare në Ukrainë”, thekson ambasadori ukrainas.
Andreas von Beckerath deklaroi se viti 2026 duhet të shënojë përfundimin e agresionit dhe se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën. Ai theksoi se, ndërsa Ukraina ka treguar gatishmëri për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, Rusia vazhdon sulmet, duke dërguar gjithashtu mesazh të qartë për Serbinë dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.
“Bashkimi Evropian e sheh Serbinë si partner të besueshëm, prandaj marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë sikur të mos kishte ndodhur agresioni,” tha Andreas von Beckerath.
Ai shtoi se pas katër vitesh, ky duhet të jetë viti kur lufta do të përfundojë dhe se kjo varet nga pala ruse, e cila mund ta tërheqë ushtrinë e saj nga territori ukrainas në çdo moment.
Katër vite pas fillimit të luftës, Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se narrativat proruse vazhdojnë të kenë ndikim të fortë në opinionin publik, me mbështetje të theksuar emocionale dhe ideologjike ndaj Rusisë, si dhe me imazhin e Vladimir Putinit si një nga liderët më të popullarizuar.
Drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Krokodil”, Millena Beriq, tha se në Serbi po rikthehen dhe po përhapen ide të së djathtës ekstreme, “të cilat gjithmonë na kanë çuar në konflikte të reja dhe luftëra të përgjakshme”.
“Gjatë këtyre katër viteve të gjata në Serbi, ne u detyruam të përballemi me manifestimet e dhimbshme të trashëgimisë negative që ka qenë e pranishme në shoqërinë tonë për dekada. Ato, dhe veçanërisht ato që rrjedhin nga një ngurrim kronik për t’u përballur me të kaluarën, kanë çuar në një rritje të jashtëzakonshme të mbështetjes për pushtimin rus dhe në një shfaqje shqetësuese të putinofilisë fanatike,” tha ajo.
Ndryshe, mediet e afërta me pushtetin në Serbi e favorizojnë perspektivën ruse, sidomos në temat energjetike dhe politike. Si shembull i propagandës përmendet faqja e parë e një tabloidi proqeveritar që katër vite më parë pretendoi se “Ukraina kishte sulmuar Rusinë”, që konsiderohet si një nga shembujt më flagrantë të dezinformimit.

