Ministri britanik: Veprimet e Putinit të kujtojnë vitet para Luftës së Dytë Botërore
Pushtimi rus në Ukrainë dhe kërcënimet e mëtejshme ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj kanë “shumë ngjashmëri” me periudhën trevjeçare që i parapriu Luftës së Dytë Botërore.
Kështu ka deklaruar ministri britanik i Forcave të Armatosura, Al Carns.
Al Carns, ish-gjeneral i forcave speciale të Marinës Mbretërore, theksoi se Ukraina ndodhet në vijën e parë të mbrojtjes së Evropës, ndërsa sulmi i gjerë i presidentit rus, Vladimir Putinit po hyn në vitin e pestë.
Megjithatë, ministri paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar nuk është imune ndaj ngjarjeve dhe se Rusia po sulmon Mbretërinë e Bashkuar dhe interesat e saj në katër fronte të ndryshme.
Carns foli për kërcënimet e përditshme në Atlantikun e Veriut dhe Arktik, sulmet kibernetike, si dhe rreziqet nga lajmet e rreme dhe format e tjera të dezinformatave që përhapen në internet. Qëllimi i këtyre veprimeve, sipas tij, është të mbjellin dhe thellojnë ndarjet brenda shoqërisë britanike, por edhe midis Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj.
I pyetur për të komentuar deklaratat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Putini me pushtimin e tij në Ukrainë ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore, Carns tregoi se sheh ngjashmëri të qarta midis sfidave aktuale dhe situatës globale politike tre vitet para Luftës së Dytë Botërore, shkruan skynews.
“Shumë njerëz thonë se Mbretëria e Bashkuar nuk ka vijë fronti. Po, realiteti është se e kemi. Ajo ndodhet në Atlantikun e Veriut. Ndodhet në veri ekstrem. Ndodhet në hapësirën kibernetike. Dhe ndodhet në fushën e ndikimit, dhe mendoj se kjo betejë zhvillohet çdo ditë”, theksoi Carns.
Ministri shpjegoi se Rusia ka mjete të ndryshme për të shkaktuar dëm që nuk përfshijnë bomba dhe plumba.
“Nuk bëhet fjalë për forcë të drejtpërdrejtë. Bëhet fjalë për ndikim, për hapësirën kibernetike, për spiunazh industrial. Qëllimi është të mbjellin ndarje dhe mosmarrëveshje në vendin tonë dhe në Evropë. Dëshirojnë të na ndajnë nga SHBA-ja, nga aleatët tanë evropianë, për të na fragmentuar, izoluar dhe në fund për të na mundur,” përfundoi ministri britanik.

