Shoqëria civile kërkon konsensus për zgjedhjen e Presidentit/es
Shoqëria civile kërkon konsensus për zgjedhjen e Presidentit/es, domosdoshmëri për stabilitet institucional
Organizatat e shoqërisë civile në letrën drejtuar partive politike paramentare,liderëve të tyre dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsiderojnë se ekziston rreziku real që vendi të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme për shkak të mungesës së marrëveshjes politike për zgjedhjen e Presidentit/es.
“Duke pasur parasysh se vendi ka kaluar tashmë një periudhë të zgjatur pa stabilitet të plotë institucional, çdo vonesë e mëtejshme në konstituimin e plotë të institucioneve cenon funksionimin demokratik të institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në sistemin politik.
Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit/es është domosdoshmëri për stabilitetin institucional. Zgjedhjet e përsëritshme të parakohshme nuk duhet të konsiderohen si instrument për të garantuar funksionimin e institucioneve, por përkundrazi, ato e rrisin pasigurinë dhe dëmtojnë vazhdimësinë institucionale. Një President/e i zgjedhur me konsensus ofron stabilitet, siguron funksionimin normal të pushteteve dhe rrit besimin qytetar në institucionet e shtetit.
Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve parlamentare që:
– të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjësi në dialog konstruktiv ndërpartiak,
– të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake,
– të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje që siguron funksionimin e plotë institucional.
Shoqëria civile konsideron se stabiliteti institucional është interes publik dhe përgjegjësi e përbashkët politike. Çdo dështim për të arritur zgjidhje në afatin e mbetur do të konsiderohet dështim i vullnetit politik për të garantuar stabilitet dhe funksionalitet demokratik.
Ne mbesim të gatshëm dhe të përkushtuar të kontribuojmë në mënyrë konstruktive përmes dialogut, ekspertizës dhe mbështetjes publike për çdo proces që synon zgjidhje të qëndrueshme dhe institucionale”, thuhet në letrën e organizatave nënshkruese: Demokraci Plus, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP,
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Lëvizja FOL dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

