Nga Facebook-u te fruthi: Skepticizmi që ndikon në vaksinimin e fëmijëve në Kosovë dhe rajon
A i keni vaksinuar fëmijët? Pse, ose pse jo?
Kjo pyetje, e shtruar nga Radio Evropa e Lirë në një grup për nënat në Faceboook, nxiti 23 përgjigje dhe disa replika.
Me dyshime mbi përbërjen e vaksinave dhe efektin e tyre, disa nëna treguan se nuk i kanë dërguar fëmijët për të marrë vaksinat.
Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse në Kosovë kërkon që çdo fëmijë që regjistrohet në çerdhe apo shkolla, të pajiset me dëshmi të vaksinimit. Por, komentet e disa nënave sugjerojnë se ky kriter nuk po respektohet plotësisht.
“Fëmija nuk e ndjek shkollën, është ende në kopsht. Fëmijës tjetër, më i madh, që e përfundon tani shkollën, nuk i janë kërkuar [dëshmitë e vaksinave]. Përkundrazi, kur është dashur t’i marrë në shkollë, nuk e kam dërguar atë ditë”, komentoi një nënë, e cila tha se fëmijët e saj nuk kanë marrë asnjë vaksinë.
REL-i e parashtroi këtë pyetje nxitur nga një raport i Komisionit Evropian, që evidentonte përhapjen e bindjeve konspirative në Kosovë, përfshirë besimin se kura për kancerin mbahet e fshehur për përfitime financiare dhe se viruset prodhohen qëllimisht për kontroll të shoqërisë.
Mbi 60 për qind e banorëve të Kosovës pajtohen me këto dy besime, sipas raportit të publikuar në shkurt të vitit të kaluar nga Komisioni Evropian.
Ai raport, i bazuar në intervista të bëra sy-më-sy me respondentë nga vendet evropiane, tregon se niveli i lartë i skepticizmit mbetet i ngjashëm në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Raporti shpërfaqi edhe besimin në rënie në Kosovë për efektin e vaksinave.
Në Kosovë, vaksina e parë kundër COVID-19 – që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka shpëtuar mbi 1.4 milion jetë në Evropë – është dhënë më 29 mars të vitit 2021. Që atëherë, janë administruar mbi 1.8 milion doza.
Por, pikërisht sëmundja COVID-19, e shkaktuar nga një koronavirus, ka ndikuar që të rriten dyshimet për efektin e vaksinave, thonë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për Radion Evropa e Lirë.
“Pandemia e COVID-19 e përforcoi këtë skepticizëm, sidomos për shkak të shpejtësisë së zhvillimit të vaksinave dhe debatit të madh publik rreth masave kufizuese”, thonë nga IKSHPK-ja.
Paul Offit, pediatër dhe ekspert i vaksinave, thotë për REL-in se, kur shpërthejnë epidemi, vaksinimi i detyrueshëm është mënyra më efektive për t’i frenuar ato. Por, shumë njerëz, shton ai, e perceptojnë këtë si tejkalim të kompetencave nga ana e qeverisë.
“E di që në Shtetet e Bashkuara, njerëzit që vijnë nga Evropa Lindore, ku shoqëritë ndoshta kanë qenë më të shtypura, janë më të shpejtë për të refuzuar çdo gjë që qeveria u thotë të bëjnë”, thotë Offit, bashkëzhvillues i vaksinës kundër rotavirusit dhe drejtor i Qendrës për Edukimin mbi Vaksinat në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias.
Ai shton se debati shpesh përplaset mes idesë së “lirisë mjekësore”, ku individi vendos vetëm për veten, dhe shëndetit publik, që kërkon përgjegjësi edhe ndaj të tjerëve.
Sipas IKSHPK-së, këto debate kanë çuar në atë që OBSH-ja e quan infodemi, për shkak të përhapjes së informacioneve të pasakta nga “burime joprofesionale që kanë krijuar narrativë të pasaktë”.
Së fundi, një kosovar me rreth 150 mijë ndjekës në Facebook postoi se të gjithë ata që nuk janë vaksinuar për COVID-19, duhet të jenë krenarë me veten, që i rezistuan një “propagande prej qindra miliona dollarësh”.
Rreth një muaj më parë, Policia e Kosovës arrestoi Arianit Sllamnikun, figurë që gjithashtu kishte krijuar një ndjekje në llogarinë e tij në Facebook, nën dyshimet se ushtronte kundërligjshëm veprimtari mjekësore dhe eksperimente me ilaçe.
Sllamniku, pa ekspertizë mjekësore, raportohet t’u ketë kërkuar mijëra euro prindërve mbi pretendimin se shëron autizmin te fëmijët.
Autizmi është çrregullim i zhvillimit neurologjik që ndikon në komunikim, ndërveprim social dhe sjellje, duke u shfaqur zakonisht në fëmijërinë e hershme. Për të nuk ka kurë, por ka mbështetje dhe ndërhyrje terapeutike që mund të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive.
Frika nga autizmi është përmendur edhe nga nënat që komentuan në postimin e REL-it në Facebook, si arsye pse nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre.
Vaksina për të cilën ka më së shumti mosbesim, është ajo që u jepet fëmijëve kur i mbushin 1 vjet, e njohur si MMR. Kjo është një vaksinë e kombinuar që mbron kundër tri sëmundjeve ngjitëse: fruthit, shytave dhe rubeolës.
Kjo mbetet vaksina e vetme për të cilën është shënuar rënie e mbulueshmërisë në Kosovë. Nga 89 për qind në vitin 2024, përqindja e fëmijëve të vaksinuar zbriti në 82 për qind në vitin 2025.
Vetëm katër nga gjithsej 20 dozat në kalendarin e vaksinimit të fëmijëve në Kosovë kanë arritur të paktën nivelin e mbulueshmërisë prej 95 për qind, që OBSH-ja e përshkruan si nivelin e nevojitur për të parandaluar shpërthimet epidemike.
Rënia e vaksinimit kundër fruthit është përcjellë me rritje të numrit të rasteve të identifikuara me këtë sëmundje.
Në raportin e IKSHPK-së për vitin 2025 thuhet se vendi ndodhet në “një situatë epidemiologjike të ngjashme me atë të rajonit, i cili është përballur me shpërthime epidemike”.
Vetëm gjatë muajit janar, IKSHPK-ja raportoi dy raste me fruth, në Prizren dhe në Vushtrri, dhe një rast me rubeolë në Prishtinë. Të gjithë fëmijët e infektuar ishin të pavaksinuar.
E, çfarë po ndodh në rajon?

