A jeni gati? Donaldi po vjen me diçka të re
Donald Veshaj ka prezantuar projektin e tij më të ri, i cili, siç pritej, do ta largojë nga ekrani tradicional televiziv. Ai do t’i bashkohet vëllait të tij, Romeo Veshaj, në platformën digjitale dhe radiofonike X Media.
Promoja e projektit është mjaft interesante dhe vjen si një rikonceptim i performancës së bujshme të Bad Bunny në Super Bowl.
Ndërsa artisti përmendi shtete amerikane në nisje të performancës së tij, Donaldi zgjodhi të rendisë emra politikanësh shqiptarë, duke e lënë për në fund atë që e quajti “më e mira, Zegjine”.
“Prit ta mbaroj” titullohet projekti që do të rikthejë Donaldin në një format të ri, ndërsa ende mbetet e paqartë nëse krah tij do të jetë edhe Romeo. Po ashtu, nuk dihet ende forma përfundimtare e këtij produksioni, por nga promoja dallohen shumë të rinj dhe referenca ndaj politikës, që lë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një format të tipit late night show.
Nga ana tjetër, X Media është konceptuar si një media multifunksionale, që do të operojë paralelisht në disa kanale: aplikacion, website, rrjete sociale dhe radio, duke synuar një qasje moderne ndaj përmbajtjes mediatike.
Mister mbetet edhe data kur kjo platformë do të nisë transmetimin.

