75 Mall Live Search
15:00 / E Enjte, 26 Shkurt 2026 / MSH1

Dy punonjës të KEDS-it morën ryshfet, Prokuroria kërkon paraburgimin e tyre

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të veprës penale “Marrja e ryshfetit në sektorin privat”.

Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më 25.02.2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, rruga, “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i kanë kërkuar shumën prej 400 Euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t’i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do duhet të ndanin ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës, me të cilat këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat: nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Dy të pandehurit, që nga 25 shkurti, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.