75 Mall Live Search
10:14 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / KV

Shkatërrohet banda kriminale në Spanjë, arrestohen katër shqiptarë (Video)

Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga Policia e Spanjës.

Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.

Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 orë dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.

Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për krimet shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet oficerit ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I.

Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit.

Vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.