PDK dhe LVV në Prishtinë përplasen për përbërjen e Komitetit për Politikë dhe Financa
Komuna e Prishtinës mbajti seancën e parë të Kuvendit, e ku nuk kaloi pa një debat mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), raporton Ekonomia Online.
Debat shkaktoi çështja e emërimeve në Komitetin për Politikë dhe Financa në Asamblenë e Prishtinës, por që kryesuesi i Kuvendi, Fehmi Kupina e qartësoi se propozimet e emrave janë bërë në komitet takimin e mbajtur mes shefave të grupeve asamblistëve që u mbajt një ditë më parë, pra 26.02.2026.
PDK kërkoi tre anëtarë, po njësoj kërkoi dhe LVV po që kjo krijoi diskutime mes tyre pasi që numri i propozuar tejkalon totalin e 11 anëtarëve.
Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gzim Sveçla ka akuzuar PDK-në për ndërrim të qëndrimeve, siç ironizoi ai, brenda ditës.
“Ndjej keqardhje për këta minuta që po i humbim kot. Që PDK-ja i ndërron qëndrimet për dy-tre muaj e kemi parë, por që i ndërron edhe për një ditë, edhe këtë e pamë. Është shumë e qartë se e gjithë kjo situatë u inskenua për të krijuar një mjegull, sepse adresimi, orientimi apo përmendja e ligjeve që s’kanë të bëjnë fare me themelimin e komiteteve, konkretisht të komitetit për të cilin po diskutojmë, nuk ka qëllim tjetër veçse të krijojë mjegull dhe bllokadë të komisionit. Formimi i komiteteve të përhershme bëhet sipas një udhëzimi administrativ, i cili është shumë i qartë dhe thotë se duhet të bëhet sipas përfaqësimit në Kuvend. Në asnjë vend, në asnjë nen apo fjali të vetme, nuk përmenden votat në atë udhëzim administrativ. Votat kryhen atje te Sami Kurteshi, në KQZ. Aty kryhen dhe bëhen mandatet. Kështu që ishte shumë e qartë. Të gjithë i njohin këto (sqarim pas qeshjes së asamblistëve), ju…Është shumë e qartë se si ndodh ndarja e vendeve për Komitetin për Politikë dhe Financa. LDK-së i takojnë tri vende, dy vende parimisht i takojnë PDK-së, dy vende Vetëvendosjes, një vend Aleancës dhe një vend Lidhjes për Prishtinën, dhe pastaj mbetet një vend në bazë të koeficientit të ndarjes. Në mënyrë të barabartë duhet të ndahet mes PDK-së dhe LVV-së”, tha ai.
Sveçla përmendi dy opsione.
“Ishin dy opsione që kjo çështje të ndahet në mandat: dy vjet njëri subjekt dhe dy vjet subjekti tjetër, ose të hidhet shorti që cilido subjekt që e fiton shortin ta ketë përfaqësuesin e tretë. Ky ishte dakordim i përgjithshëm dhe çdo gjë tjetër që tentohet të imponohet çon detyrimisht në bllokim të këtij komiteti dhe në mosfunksionim të tij, gjë që pastaj lë pasoja në vetë funksionimin e Kuvendit”, tha ai.
Pasi propozuan emrat për e PDK-së për komitet, Granit Geci tha se cështja nuk është e komplikuar sic po tenton sipas tij LVV-ja ta komplikojë.
“Mendoj që çështja është më e pakomplikuar sesa po tentohet të komplikohet në këtë seancë. Propozimet ne i dhamë, secili i jep propozimet e veta. Çdo vendim që del nga ky Kuvend, së pari e kalon filtrin e ligjshmërisë në ministrinë e linjës dhe ministria e linjës i kthen në seancën e radhës reagimet, tha ai.
Leotrim Retkoceri po ashtu nga PDK ka treguar se çka u thënë në takim, e ku ka thënë se çështja nuk mundet me i shku MAPL-së pasi që siç akuzon ai kjo ministri është e kapur nga Vetëvendosje.
“Ne dje kemi pasur një takim konsultativ dhe në atë takim nuk ka pasur vendime. Unë këtu dalloj nga kolegu im, Gëzim Sveçla, që mendon vetëm për vete. Unë nuk marr vendime individuale për t’i mbajtur me zor, as kur më konvenojnë e as kur nuk më konvenojnë. Është aspekti ligjor ai që e rregullon këtë çështje. E kuptoj njëfarë guximi, pasi MAPL tashmë është organ i Vetëvendosjes, por ligji nuk është ai që ju jep të drejtë, e as nuk i ka 556 vota më shumë se PDK-ja…MAPL është ajo që e monitoron, por nuk ka një ligj të saktë që e thotë se, kur kandidatët janë asamblistë me numër të barabartë, çështja hidhet drejtpërdrejt në short. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e saktëson këtë në mënyrë të qartë, tha ai.
Retkoceri ka thënë se nuk pranon të që fatin e qytetarëve ta hedh në short.
“Nuk jemi për që vullneti i qytetarëve të vendoset me short. Ndoshta kolegu paraprak është më i mirë në shorte, atë aftësi nuk ia mohoj, por ne nuk duam ta hedhim vullnetin e qytetarëve në short. Nëse dëshiron, mund ta bëj edhe më formal ose më të ashpër në ton politik”, tha ai.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina ka thënë se do t’i drejtohet MAPL-së për interpretim pasi nuk mund të qes në votim me 12 anëtarë.
“Me 12 anëtarë nuk mund ta qes në votim. Unë do t’i drejtohem MAPL-së njëherë për interpretim ligjor”, tha ai./Indeksonline/

