75 Mall Live Search
16:15 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / F.R

Ndalohet importi i mbi 1 mijë litrave vaj ulliri, AUV: Produkt i pasigurt për konsum

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ndaluar importimin e 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë, pas konstatimit të parregullsive gjatë kontrollit në pikën kufitare të Vërmicës.

Sipas njoftimit, ndalimi është bërë pas shqyrtimit të lëndës me nr. aplikacioni PIKF297960/2026, të datës 18.02.2026, nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar. Produkti ishte destinuar për tregun e Kosovës dhe vinte nga kompania “Euro Made 2021” nga Lushnja, Shqipëri, shkruan IndeksOnline.

Gjatë kontrollit fizik, inspektorët kanë konstatuar se vaji i ullirit nuk posedonte të dhënat e nevojshme në deklaracionin e mallit. Për më tepër, është vërejtur se produkti ishte transportuar në kushte jo të përshtatshme higjienike dhe në të njëjtin mjet me mallra jo ushqimore, përfshirë detergjentë, duke rritur rrezikun potencial për kontaminim.

Bazuar në Ligjin e Ushqimit, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloret në fuqi për sigurinë ushqimore, autoritetet kanë vlerësuar se produkti në fjalë është i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për konsum, duke mos lejuar hyrjen e tij në territorin e Kosovës.

AUV thekson se do të vazhdojë monitorimin e rreptë të produkteve ushqimore në të gjitha pikat kufitare, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.