Në finalen e Champions League, mund të kemi “El Clasico” mes Real Madridit dhe Barcelonës
Sot në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për 1/8 e finales së Champions League, ku do të kemi përballje interesante, ku rruga drejt finales do të jetë spektakolare.
Sipas tabelës së publikuar, Real Madrid dhe FC Barcelona ndodhen në anë të kundërta të shortit, çka do të thotë se mund të takohen vetëm në finale, shkruan IndeksOnline.
Në krahun e majtë të tabelës, Real Madridi përballet fillimisht me Manchester City, në një duel të fortë mes dy pretendentëve kryesorë për trofeun. Në të njëjtën anë ndodhen edhe skuadra si Bayern Munich, Liverpool FC, Paris Saint-Germain, Chelsea FC, Galatasaray dhe Atalanta BC, duke e bërë rrugën drejt finales mjaft të vështirë për “Los Blancos”.
Në anën tjetër të shortit, Barcelona ka përballë Newcastle United në 1/8 e finales. Në të njëjtin krah janë edhe Atlético Madrid, Tottenham Hotspur, Bodø/Glimt, Sporting CP, Bayer Leverkusen dhe Arsenal FC.
Fakti që dy gjigantët spanjollë janë të ndarë në tabela rrit ndjeshëm gjasat për një “El Clasico” në finalen e Champions League, një skenar që do të ishte historik për kompeticionin dhe një nga finalet më të ndjekura ndonjëherë në futbollin europian.
Gjithçka do të varet nga paraqitjet në fazat me eliminim direkt, por shorti ka hapur qartë derën për një finale të madhe mes Real Madridit dhe Barcelonës, për trofeun më prestigjioz në nivel klubesh në Europë./IndeksOnline/


