75 Mall Live Search
16:03 / E Shtunë, 28 Shkurt 2026 / MSH1

Osmani: Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, dinjitet dhe liri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar të rënët e Likoshanit dhe Qirezit, nga akti gjenocidal serb në shkurt të 1998-tës.

Sipas Osmanit, vrasja e 24 banorëve ishte një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e lirisë që po rritej në Drenicë dhe në mbarë Kosovën, transmeton IndeksOnline.

“Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri. Ata u bënë pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit rrugëtimi ynë drejt çlirimit dhe shtetndërtimit.

Kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Likoshanit dhe Qirezit është amanet për drejtësi dhe për ta ruajtur lirinë me çdo kusht” u shpreh presidentja.

Ky është përkujtimi i plotë:

Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Serbisë kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror në Kosovë, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, prej të cilëve 20 civilë që u shndërruan në martirë e 4 dëshmorë të UÇK-së që ranë heroikisht në mbrojtje të popullatës civile.

Kjo ishte një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e lirisë që po rritej në Drenicë dhe në mbarë Kosovën.

Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri. Ata u bënë pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit rrugëtimi ynë drejt çlirimit dhe shtetndërtimit.

Kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Likoshanit dhe Qirezit është amanet për drejtësi dhe për ta ruajtur lirinë me çdo kusht.

Lavdi e përjetshme të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit!