Jonida reagon pas përfundimit të BBVK-së
Pas përfundimit të një prej edicioneve më të komentuara të këtij viti të Big Brother VIP Kosova, moderatorja dhe aktorja e njohur Jonida Vokshi ka ndarë me ndjekësit një mesazh falënderues dhe mjaft emocional.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo e cilësoi këtë sezon si “fundin e një eksperience maratonë” dhe “një super edicion si asnjëherë më parë” të BBVK-së.
“Me përulje dhe mirënjohje, ju falënderoj juve, për çdo ditë përkrahje”, ka shkruar Vokshi, duke theksuar se rrugëtimi nuk ka qenë aspak i lehtë për të.
Moderatorja tregoi se angazhimi i saj në spektakël ka kërkuar udhëtime të përjavshme dhe sakrifica personale, sidomos largimin e shpeshtë nga familja dhe fëmijët.
“Nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë për mua, udhëtime çdo javë, mungesa e shpeshtë e familjes, sidomos fëmijëve, ma ka bërë më shumë se të vështirë. Por të isha pranë jush, gjatë dhe intensivisht, e gjithë ajo mori mesazhesh motivuese e plot dashni, ma ka mbushur shpirtin plot!”, është shprehur ajo.
Në fund të mesazhit, Jonida nuk harroi t’i drejtohej publikut me fjalë të ngrohta: “Ju e dini që Jonida ju do fort”.

