Donjeta e artë në garën e boksit “Strandja 2026”
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shkëlqyer në arenën ndërkombëtare duke fituar medaljen e artë në edicionin e 77-të të turneut prestigjioz ndërkombëtar të boksit “Strandja 2026”, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë.
Në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku u përball me brazilianen Rebeca De Santos në një duel të fortë dhe plot emocione.
Që nga gongu i parë, ajo tregoi vendosmëri, teknikë dhe dominim në ring.Pas tre raundeve intensive, vendimi i gjyqtarëve konfirmoi epërsinë e boksieres kosovare.
Tre nga pesë gjyqtarë e vlerësuan Sadikun fituese me rezultatet 29-28 dhe 30-27, duke dëshmuar kontrollin e saj në momentet kyçe të përballjes.
Ky triumf i madh jo vetëm që dëshmon formën e shkëlqyer të Donjeta Sadikut, por edhe ngrit lart flamurin e Kosovës në skenën evropiane dhe botërore të boksit.

