Klodi çmend fansat, pranon ndjenjat për Elijonën
Finalistët dhe një pjesë e mirë e banorëve të Big Brother VIP Kosova 4 rikthehen sërish aty ku nisi gjithçka, në shtëpinë që për muaj me radhë ishte epiqendra e emocioneve, debateve dhe historive të forta personale. Këtë javë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë dy episode speciale të “Post Big Brother”, që do të transmetohen të hënën dhe të premten në mbrëmje, në orën 21:00.
Këto episode pritet të shërbejnë si një mbyllje e plotë e sezonit, duke hedhur dritë mbi ngjarjet dhe situatat që mbetën pezull gjatë lojës. Banorët do të përballen sërish me njëri-tjetrin, për të sqaruar debatet, keqkuptimet dhe raportet që u krijuan brenda mureve të shtëpisë së famshme.
Nga promoja paralajmëruese, vëmendjen e publikut e ka marrë menjëherë raporti i shumëpërfolur mes Klodit dhe Elijonës. Pas javësh me aludime dhe dyshime gjatë qëndrimit në shtëpi, Klodi dëgjohet të pranojë hapur ndjenjat e tij, duke deklaruar se Elijona i ka pëlqyer. Ky moment shoqërohet me reagimin e Elijonës, e cila me humor shprehet se ndihet e çliruar tani që e vërteta u tha publikisht.
Përveç kësaj dinamike, një tjetër moment që pritet me interes është edhe rrëfimi i Klodit për jetën e tij personale jashtë shtëpisë. Ai pritet të flasë hapur për raportin me të dashurën e tij, Alice, e cila pavarësisht gjithë situatave të krijuara gjatë lojës, udhëtoi drejt Prishtinës për ta pritur në natën e finales së madhe.

