75 Mall Live Search
09:16 / E Hënë, 02 Mars 2026 / G T

Nagelsmann e “mbyll” përkohësisht derën për Brajan Grudën: Me nivelin që ka, duhet më shumë gola dhe asiste!

Trajneri i Kombëtares së Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka folur për talentin e Brajan Gruda në një intervistë për “Kicker”-n, duke theksuar progresin e tij te RB Leipzig.

Nagelsmann u shpreh se Gruda po paraqitet mjaft mirë aktualisht në Leipzig dhe zbuloi se e kishte përfshirë lojtarin që gjatë përgatitjeve për Kampionatin Evropian të zhvilluar në Gjermani, shkruan Indeksonline

Sipas tij, mesfushori ofensiv posedon shumë cilësi, por në atë periudhë nuk e kishte kuptuar plotësisht mundësinë reale për të qenë pjesë e një Evropiani të organizuar në shtëpi.

Megjithatë, tekniku gjerman theksoi se për një lojtar me potencialin e Grudës, kërkohet më shumë produktivitet në fazën ofensive.

“Në fund, gjithçka varet nga prodhimi i më shumë golave dhe asistimeve. Për nivelin e cilësisë që ai ka, kjo ende nuk është e mjaftueshme”, deklaroi Nagelsmann.

Pra, trajneri i Kombëtares së Gjermanisë momentalisht ia “mbyll” derën futbollistit shqiptar – i cili e ka ëndërr Kupën e Botës 2026./Indeksonline/