75 Mall Live Search
19:59 / E Hënë, 02 Mars 2026 / F.R

Hoti takoi përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, në një takim njoftues ka pritur përfaqësuesit e Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, kryetarin Fadil Shurdhaj, sekretarin Enver Krasniqi dhe anëtarin e kryesisë Sylë Vitia.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e shoqatës uruan ministrin Hoti për detyrën dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë institucional, me qasje mirëkuptimi në adresimin e sfidave me të cilat përballen kategoritë e luftës, njofton zyra për informim e kësaj ministrie.

Ministri Hoti u njoftua për nevojat dhe vështirësitë e invalidëve të luftës së UÇK-së dhe shpalosi vizionin e tij për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të luftës çlirimtare.

Ai theksoi përkushtimin për dinjitetin e kategorive të luftës, me prioritet përfshirjen e tyre në Ligjin për Vlerat e Luftës Çlirimtare, duke premtuar angazhim të përbashkët në adresimin e çështjeve të invalidëve të luftës.