75 Mall Live Search
09:23 / E Martë, 03 Mars 2026 / Z S

Dorëheqja e Prodës, Ministria e Brendshme hap garën për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit

Pas dorëheqjes së Ilir Prodës dhe emërimit të përkohshëm të Sokol Bizhgës, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur garën për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Shpallja bëhet në bazë të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm.Sipas ministrisë, kandidatët duhet të jenë pjesë e rolit të mesëm drejtues.

Aplikimi bëhet me një kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm, e cila duhet të shoqërohet me dokumente të ndryshme që përfshijnë jetëshkrimin e përditësuar, platformën personale me objektivat dhe qëllimet që kandidati propozon të ndjekë, vetëdeklarime për integritetin dhe për mosqenien në konflikt interesi, dëshmi gjyqësore dhe vërtetime të eksperiencës dhe rezultateve profesionale, si dhe dokumente shëndetësore që dëshmojnë aftësinë për kryerjen e detyrës, raporton Euronewsalbania.

Kandidatët mund të bashkëngjisin edhe dëshmi të aftësive gjuhësore dhe titujve akademikë nëse disponohen.

Ministria e bën të ditur se kandidatët kanë një afat prej shtatë ditësh nga shpallja e thirrjes për të dorëzuar dokumentacionin e plotë. Pas këtij afati, emrat e kandidatëve do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

Një komision i posaçëm do të kryejë vlerësimin paraprak për të verifikuar përmbushjen e kushteve ligjore, dhe do të njoftojë kandidatët e përjashtuar me arsyet përkatëse.

Pas vlerësimit, komisioni organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe përgatit renditjen finale për Ministrin e Brendshëm./Indeksonline/