Emërohet edhe një drejtor në komunën e Prishtinës
Donat Gashi është emëruar në krye të një prej drejtorive komunale të kryeqytetit.
Me vendim të kryetarit, Përparim Rama, Gashi do të jetë drejtor i Rinisë, raporton IndeksOnline.
“Ky nuk ishte një hap i rastësishëm, por rezultat i një rrugëtimi të gjatë drejt një vizioni që tani po merr formë. Drejtoria e Rinisë e Kryeqytetit është një drejtori e re, e cila do të ketë përgjegjësinë të vendosë themele të forta mbi të cilat do të mbështeten të rinjtë, duke siguruar trajtim institucional dhe përkrahje të vazhdueshme për ta” ka shkruar Gashi.
Duke listuar prioritetet që do të ketë në krye të kësaj drejtorie, Gashi ka falënderuar partinë NISMA dhe kryetarin e saj, për mbështetjen në këtë kapitull.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Kryeqytetit,
Miq e familjarë,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se jam emëruar Drejtor i Rinisë së Kryeqytetit, me vendim të Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Pas 12 vitesh aktiviteti politik dhe shërbimi ndaj të rinjve, për mua kjo nuk është thjesht një pozitë, është përgjegjësi dhe dedikim i gjithë rrugëtimit tim për një qëllim të qartë:
Një Kosovë dhe një Prishtinë që krijojnë ambientin e duhur ku i riu mund të zhvillohet ashtu siç ëndërron.
Ky nuk ishte një hap i rastësishëm, por rezultat i një rrugëtimi të gjatë drejt një vizioni që tani po merr formë. Drejtoria e Rinisë e Kryeqytetit është një drejtori e re, e cila do të ketë përgjegjësinë të vendosë themele të forta mbi të cilat do të mbështeten të rinjtë, duke siguruar trajtim institucional dhe përkrahje të vazhdueshme për ta.
Ky rrugëtim do të jetë sfidues, prandaj ndihma dhe përfshirja e të gjithëve do të jenë të domosdoshme.
Ndër prioritetet e mia në këtë mandat do të jenë:
• Ngritja dhe promovimi i vullnetarizmit
• Krijimi i qendrave rinore multifunksionale
• Aftësimi profesional i të rinjve në ICT
• Përgatitja profesionale përmes sigurimit të praktikave
• Rritja e bursave për studentët
• Mbështetja e talenteve të reja
• Funksionalizimi i KVRL
Dhe jo vetëm kaq, do të jemi këtu për çdo iniciativë dhe çdo vepër të mirë për Prishtinën!
Unë do të shërbej me nder, vullnet dhe entuziazëm, sepse mbi të gjitha, Prishtina është dashuria ime më e madhe, nga e cila nuk jam ndarë asnjëherë.
Falënderim i veçantë për Kryetarin e Nisma Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj, si dhe për Kryetarin e Degës së Nismës në Prishtinë, asamblistin tonë z. Endrit Zabërgja, si dhe gjithë ekipes tonë të zjarrtë për nominimin. Mirënjohje të sinqertë për të gjithë ata që na kanë mbështetur në çdo fushatë dhe në çdo hap të këtij rrugëtimi.
Bashkë do t’ia dalim. Rinia e Prishtinës do të ketë zë!

