Milot Rashica i bashkohet fushatës në mbështetje të barazisë dhe fuqizimit të grave
Muaji mars këtë vit po shënohet me një iniciativë të veçantë që përçon 31 mesazhe përgjatë 31 ditëve, nga figura të njohura publike, me një qëllim të përbashkët: drejtësi, barazi dhe fuqizim për çdo grua dhe vajzë.
Kësaj fushate i është bashkuar edhe futbollisti i njohur kosovar, Milot Rashica, i cili përmes mesazhit të tij ka shprehur mbështetje për avancimin e të drejtave të grave dhe luftimin e çdo forme të dhunës me bazë gjinore.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit të UN Women, me titull “Adresimi i ndikimit të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve për të tejkaluar stigmën dhe për të folur hapur”.
Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin shoqëror, të fuqizojë të mbijetuarit e dhunës dhe të krijojë një ambient më mbështetës për gratë dhe vajzat në Kosovë.
Kjo nismë mbështetet nga Ambasada britanike në Prishtinë, e cila vazhdimisht ka përkrahur projekte që promovojnë barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.
Pjesëmarrja e Rashicës në këtë iniciativë vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në mobilizimin e opinionit publik dhe në promovimin e një kulture respekti, barazie dhe solidariteti./IndeksOnline/

