75 Mall Live Search
11:31 / E Enjte, 05 Mars 2026 / P M

Afati i fundit për presidentin dhe përplasja me VV-në, Osmani pritet të mbajë sot një konferencë për media

Presidentja Vjosa Osmani pritet të mbajë një konferencë për media pasdite. Presidenca tha se do të njoftojnë me kohë.

Konferenca e saj vjen pas zhvillimeve të fundit për çështjen e zgjedhjes së presidentit derisa sot është afati i fundit për nisjen e procedurës së zgjedhjes së të parit apo të parës së shtetit.

Osmani nuk u kandidua nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e nxori kandidatin e saj Glauk Konjufca për president.

Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar një takim pak ditë më parë rreth kësaj çështjeje dhe nga takimi dolën pa një rezultat.

Në seancën e sotme solemne për Epopenë e UÇK-së në Kuvendin e Kosovës, Osmani e Kurti nuk u përshëndetën mes vete.

Në vitin 2021, Osmani e Kurti i hynë garës bashkë me një marrëveshje për postet që i mbajtën më pas.

Por, kur pritjet ishin që Vetëvendosje të ketë sërish Osmanin kandidate për presidente, e cila shfaqi ambiciet edhe për një post, nisi krisja e raporteve mes tyre me zyrtarizimin e Konjufcës për kandidat për president.

Nga stafi i Osmanit mbrëmë u shkëmbyen replika me zyrtarë të Vetëvendosjes mbi çështjen e sigurimit të votave për Osmanin.