Gjykata Supreme ndërpret paraburgimin ndaj N.B. për keqpërdorim të votave
Gjykata Supreme në çështjen penale ndaj të pandehurit N.B., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ka marrë vendim që të aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është liruar për t’u mbrojtur në liri.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka ndryshuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit, lidhur me caktimin dhe vërtetimin e masën së paraburgimit prej një (1) muaji ndaj të pandehurit, për shkak të veprës penale falsifikimi i rezultatit të votimit.
“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore, nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm lidhur me ekzistimin e bazës ligjore për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme ka konstatuar se arsyetimet e dhëna lidhur me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale janë të natyrës supozuese dhe nuk mbështeten në prova konkrete. Nuk rezulton se ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh se procesi zgjedhor ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar.
Gjykata Supreme, gjithashtu ka theksuar se paraburgimi paraqet masë të fundit (ultima ratio), e cila duhet të zbatohet vetëm në mënyrë të jashtëzakonshme dhe vetëm kur plotësohen qartë kushtet e përcaktuara me ligj./IndeksOnline/

