Bugaqku e sheh të ‘‘pamundur’’ miratimin e amendamenteve për president: Së pari duhet të dërgohen në Kushtetuese
Pak më herët, presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, për të cilat tha se ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
Lidhur me procedurat për këto amendamentete dhe mënyrën si votohet e procedohet tutje, për Gazetën Express, ka folur Vullnet Bugaqku.
Ky i fundit deklaruar se çfarëdo ndryshimi i propozuar kushtetues, duhet t’i dërgohet së pari Gjykatës Kushtetuese, ku edhe do të vlerësohen nëse amendametet në fjalë janë në përputhje me kapitullin 2 të Kushtetutës.
‘’Neni 144 i Kushtetutës flet për amendametimin dhe procedurën që duhet me u ndjek për me u ndryshu Kushtetua e Kosovës. Sipas Kushtetutës, të drejtën e propozimit e ka Presidenti i shtetit, Qeveria dhe 1 e 4 e deputetëve të Kuvendit. Çfarëdo amendamenti që propozohet, paraprakisht dorëzohet në Kuvendit, dhe kuvendi themelon një komision për ndryshimin e Kushtetutës, dhe ai komision ka me i shqyrtu amandamentet. Mirëpo, para se të votohen këto amendamente, procedura fillimisht duhet me shku njëherë në Kushtetuese, dhe gjykata duhet vlerësu nëse amendamentet janë në përputhje apo jo me kapitullin 2 të Kushtetutës. Dhe pasi t’i vlerësoj Gjykata, atëherë amendamentet i kthehen Kuvendit për votim’’, ka thënë ai.
Bugaqku foli edhe për mënyrën e votimit, gjë e cila ai tha se është e qartë, dhe se kërkohet dy të tretat e deputetëve shqiptarë, si dhe, dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë, ku përfshihen edhe një numër i deputetëve të Listës Srpska.
‘’Çështja e votimit është e përcaktuar shumë qartë, ndryshimi i Kushtetutës, sipas nenit 144, mund të bëhet vetëm nëse për këto amendamente votojnë 2 e 3 e deputetëve të shumicës shqiptare, dhe 2 e 3 e deputetëve të komuniteteve jo shumicë. Pra vyjnë votim i dyfishtë të dy të tretave të deputetëve, dhe normalisht se patjetër duhet me marr edhe aprovimin e një numri të deputetëve të Listës Serbe që me leju ndryshimin e Kushtetutës dhe me u votu suksesshëm këto amandamente’’, tha ai.
Duke pasur parasysh rrethanat aktuale ku kanë mbetu edhe pak orë deri në përfundim të zgjedhjes së presidentit të ri, një gjë të tillë ai e vlerësoi si ‘’afatgjate dhe e pamundur’’.
Ai tha edhe se, përveç ndryshimeve kushtetuese, implikohen edhe ndryshime ligjore si ligji për presidentin dhe rregullorja e Kuvendit.
‘’ Përpos ndryshimit Kushtetues për zgjedhjen e presidentit nga populli, kjo implikon edhe ndryshime ligjore pastaj, duhet me u ndryshu edhe ligji për presidentin edhe rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës’’, ka deklaruar Bugaqku.

