Arrestohet basketbollisti i NBA
Dillon Brooks, basketbollist i ekipit Phoenix Suns, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes nën dyshimin për drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, ngjarja ka ndodhur në qytetin e Scottsdale, ku lojtari 30-vjeçar u ndalua nga policia gjatë një kontrolli trafiku rreth orës 01:00, shkruan IndeksOnline.
Pas verifikimeve të kryera nga autoritetet, ai u arrestua me dyshimin për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Brooks u dërgua në burgun lokal për procedurat standarde të regjistrimit dhe më pas u lirua disa orë më vonë.
Klubi i Phoenix Suns ka bërë të ditur përmes një deklarate të shkurtër se është në dijeni të incidentit dhe se po mbledh më shumë informacione për rastin, pa dhënë komente të tjera për momentin.
Basketbollisti kanadez aktualisht nuk është aktiv në parket për shkak të një dëmtimi në dorë dhe ndodhet në proces rikuperimi. Autoritetet lokale pritet të vendosin në ditët në vijim nëse ndaj tij do të ngrihen akuza zyrtare./IndeksOnline/

