Presidenca: Presidentja Osmani kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë
Shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani ka zbatuar atë që kërkon Kushtetuta, në rastin e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.
“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë”, ka shkruar Hollaj.
Sipas saj, akuzat për “verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e fyerje” tregojnë mungesë tolerance ndaj interpretimeve të ndryshme kushtetuese.
“Ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji”, ka potencuar ajo.
Hollaj ka potencuar se Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë.
“Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie”, ka përfunduar shefja e stafit të presidentes Osmani.

