Situata në Lindjen e Mesme, Hoxha: Siguria e shtetasve shqiptarë – përparësi absolute
Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka drejtuar gjatë ditës një takim të shtabit të posaçëm të ngritur nga ministria që drejton me ekipin drejtues dhe Ambasadorët e Shqipërisë në Lindjen e Mesme, të cilët po ndjekin në mënyrë të pandërprerë çdo zhvillim në rajon.
Rreth këtij takimi ai shkroi në X ku theksoi se siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute.
Ndër të tjera, ai tha se përfaqësitë tona diplomatike janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.
“Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tovolinën time: përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë. Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate. Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute”, deklaroi Hoxha.

