75 Mall Live Search
14:05 / E Diele, 08 Mars 2026 / B XH

Kurti uron Ditën Ndërkombëtare të Gruas: Barazia është punë dhe përgjegjësi e përbashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë, solidaritetit dhe mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat anembanë botës.

Ai tha se në Kosovë janë bërë hapa të rëndësishëm për fuqizimin e gruas, si mbështetje për punësim, rritje të pronësisë dhe përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes nga dhuna me bazë gjinore.

Ndër të tjera, Kurti ka bërë thirrje që të drejtat e grave të mos mbeten vetëm në letra dhe ligje, por të sigurohen me drejtësi reale, duke pasur një ndikim konkret në jetën e përditshme të çdo individi.

“Barazia nuk është vetëm premtim – është veprim. Dhe ky angazhim vazhdon. Urime Ditën Ndërkombëtare të Gruas – barazia është punë dhe përgjegjësi e përbashkët”, ka shkruar kreu i qeverisë në Facebook.

Postimi i plotë:

“Të Drejta. Drejtësi. Veprim.” Kjo është tema e Ditës Ndërkombëtare të Gruas këtë vit. Në mbarë botën, gratë dhe vajzat po kërkojnë të drejtat e tyre, drejtësi e solidaritet, mundësi të barabarta.

Dita Ndërkombëtare e Gruas na e kujton se barazia thërret për veprim. Në Kosovë po fuqizojmë gratë përmes punësimit, mbështetjes ekonomike, rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe luftës kundër dhunës me bazë gjinore. Mbi 12 mijë gra të mbështetura në punësim, rritje e pronësisë së grave dhe mekanizma më të fortë mbrojtjeje janë hapa konkret drejt barazisë në vendin tonë, ashtu që të drejtat e grave mos të mbeten vetëm në ligje dhe deklarata – por të garantohen me drejtësi reale, në jetën e përditshme kolektive, në përvojën individuale të secilës.

Barazia nuk është vetëm premtim – është veprim. Dhe ky angazhim vazhdon.

Urime Ditën Ndërkombëtare të Gruas – barazia është punë dhe përgjegjësi e përbashkët!