Aktakuzë ndaj dy personave për veprën penale ‘’Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet B.B., dhe E.K.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës
‘’Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më datë 25 Shkurt 2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, rruga, “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovës – KEDS, i pandehuri B.B.,në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400 Euro të dëmtuarit A.H., me qëllim që të përshpejtojnë procedurën për vendosjen e njehsorit elektrik në lokalin e tij në fshatin Sojevë, duke i bërë me dije se në të kundërtën vendosja e njehsorit elektrik do të vonohej për një periudhë prej pesë (5) deri në gjashtë (6) muaj’’ thuhet në njoftim.
Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës dhe me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale“Pranimi i rryshfetit në sektorin privat” nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

